Erdoğan dhe kryeministri libian diskutojnë çështjet rajonale dhe globale               Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, priti të mërkurën kryeministrin libian Abdul Hamid Dbeibeh në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin Ankara, ku diskutuan çështje rajonale dhe globale.

Gjatë takimit, të dy liderët diskutuan edhe për lidhjet dypalëshe, deklaroi Drejtoria e Komunikimit të Türkiyes.

Erdoğan është shprehur se Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë është "bashkëbiseduesi legjitim" i vendit për Türkiyen, shtohet në deklaratën e Drejtorisë.

Türkiye do të vazhdojë t'i zhvillojë lidhjet me Libinë në shumë fusha, duke përfshirë energjinë, sigurinë dhe çështjet detare, tha presidenti turk, sipas deklaratës.

Erdoğan theksoi gjithashtu se kontaktet dhe bashkëpunimi i ngushtë do të ruhen për t'i mbrojtur interesat e përbashkëta të Türkiyes dhe Libisë në Mesdheun Lindor, ndoshta duke iu referuar një pakti dypalësh detar të vitit 2019.

Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë tha gjithashtu në një deklaratë se Erdoğan dhe Dbeibeh vlerësuan zhvillimet në Libi dhe përpjekjet e Qeverisë së Unitetit Kombëtar për zhvillim.

U diskutuan gjithashtu lidhjet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve dhe mënyrat për të forcuar bashkëpunimin ushtarak, shtohet më tepër në deklaratë.

Drejtoria citoi gjithashtu se Dbeibeh nënvizoi rëndësinë e vizitës së tij për forcimin e partneritetit strategjik të dy vendeve dhe shprehu vlerësimin e Qeverisë së Unitetit Kombëtar për mbështetjen e Türkiyes për vendin e tij, veçanërisht në fushën politike dhe ekonomike.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan dhe Ibrahim Kalin, kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës, morën gjithashtu pjesë në takimin me dyer të mbyllura.

Vitet e fundit, Libia është përballur me një konflikt midis Qeverisë së Unitetit Kombëtar të udhëhequr nga Dbeibeh, me qendër në kryeqytetin Tripoli dhe e njohur ndërkombëtarisht, dhe një qeverie tjetër me bazë në Bengazi, e cila kontrollon pjesën lindore të vendit dhe qytetet jugore.

TRT Balkan / agjencitë