Erdoğan: Diplomacia e fortë nuk është opsion, por detyrim për Türkiyen.     /Foto: AA

Për Türkiyen, një vend i vendosur në një pozicion të rëndësishëm gjeografik, është një domosdoshmëri për të pasur një diplomaci të fortë, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan të martën mbrëma në fjalimin e mbajtur para ambasadorëve turq që shërbejnë jashtë vendit dhe brenda tij.

“E vendosur në zemër të tri kontinenteve, Türkiye nuk mund të jetë një vëzhgues i zhvillimeve. Të qenët e fortë në fushë dhe në tryezë nuk është një opsion për ne; është një detyrim,” tha Erdoğan.

Ambasadorët u mblodhën në kryeqytetin Ankara për Konferencën e 14-të të Ambasadorëve për të diskutuar zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, tendencat globale dhe sfidat e mundësitë e fundit.

“Ne jemi në ndjekje të mbrojtjes së interesave të Türkiyes duke përdorur të gjitha mjetet e diplomacisë dhe të gjithë elementët e fuqisë së fortë dhe të butë,” tha Erdoğan.

Türkiye është kthyer në një “vend lojtar” që ka lënë gjurmë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirja e të cilit kërkohet në shumë çështje vendimtare dhe qëndrimi i të cilit ndiqet nga afër, shtoi ai.

Duke iu kthyer luftës kundër terrorizmit, Erdoğan tha se Türkiye nuk bëri asnjë hap prapa përballë grupeve terroriste, duke përfshirë ASALA-n dhe PKK-në. “Ne nuk e njollosëm pavarësinë dhe të ardhmen tonë në luftën kundër terrorizmit”, shtoi ai.

Operacionet e Türkiyes do të vazhdojnë derisa të çrrënjosë “folenë e terrorit” që kërcënon integritetin territorial të Türkiyes, si dhe Irakut, tha Erdoğan.

Kthimi vullnetar i refugjatëve sirianë në Türkiye në vendin e tyre do të përshpejtohet me stabilizimin e Irakut dhe Sirisë, shtoi ai.

Më shumë se 3,7 milionë sirianë banojnë aktualisht në Türkiye, duke e bërë atë vendin më të madh në botë që strehon refugjatë.

Marrëveshja e drithit e Detit të Zi

Türkiye është “vendi kyç” në zgjidhjen e krizës Rusi-Ukrainë, tha Erdoğan, duke shtuar se Ankaraja ndjek një qëndrim “të balancuar dhe të drejtë” që nga dita e parë për të zgjidhur çështjen.

Bisedimet e Ankarasë me palët janë duke u zhvilluar për rifillimin e marrëveshjes së drithit të Detit të Zi, shtoi ai.

Në lidhje me bisedën e tij të fundit telefonike me presidentin rus Vlladimir Putin, Erdoğan tha se kishte mundësinë të rimerrte informacion në lidhje me kërkesat dhe pritshmëritë e Rusisë nga dora e parë.

“Putini, ashtu si ne, është i ndjeshëm në lidhje me qasjen e vëllezërve tanë afrikanë në produktet e drithit. Unë besoj se mund të gjejmë gjuhën e përbashkët për këtë çështje,” shtoi ai.

Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen të cilën e nënshkroi në korrik 2022 së bashku me Türkiyen, OKB-në dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e drithit nga portet ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pasi filloi lufta Rusi-Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar. Moska është ankuar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.

“Pa dyshim, zgjidhja e këtij problemi pa ngërç të mëtejshëm varet nga përmbushja e premtimeve të vendeve perëndimore”, theksoi Erdoğan.

Türkiye, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, u ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës nëpërmjet negociatave.

Lufta kundër islamofobisë

Në lidhje me aktet e fundit provokuese dhe djegien e kopjeve të Kuranit, librit të shenjtë mysliman, në disa vende perëndimore, Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë luftën e saj kundër islamofobisë.

“Ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje për të luftuar islamofobinë, e cila ka arritur një nivel të patolerueshëm në disa shtete evropiane javët e fundit,” shtoi ai.

Figura ose grupe islamofobike kanë kryer vazhdimisht djegie të Kuranit dhe përpjekje të ngjashme për përdhosje në Evropën Veriore muajt e fundit, duke shkaktuar zemërim nga vendet myslimane dhe bota.

“Është detyrë parësore e të gjithë neve si turq dhe myslimanë që të parandalojmë sulmet ndaj Kuranit dhe të sigurojmë që autorët e këtyre krimeve të urrejtjes të ndëshkohen ashtu siç e meritojnë.

“Në fakt, ne u bëmë një nga vendet që i dhamë përgjigjen më të fortë dhe më efektive kësaj barbarie, e cila po bëhet gjithnjë e më e pamatur dita ditës”, shtoi Erdoğan.

Përveç kësaj, tha ai, Türkiye po përpiqet të mobilizojë të gjitha organizatat ndërkombëtare në të cilat është anëtare në këtë drejtim.

“Türkiye do të përmbushë përgjegjësinë e saj për të qenë pioniere në këtë luftë, siç ka bërë me shekuj,” theksoi ai.

Zona e paqes dhe e stabilitetit

Qëllimi i Ankarasë është të krijojë një zonë paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti rreth vetes, tha Erdoğan, duke shtuar se dialogu dhe diplomacia do të jenë “mjetet më të rëndësishme” drejt arritjes së këtij qëllimi.

“Ne kërkojmë të rrisim edhe më shumë numrin e miqve tanë. Nuk kemi probleme të pazgjidhshme me askënd, veçanërisht me fqinjët tanë,” shtoi ai.

Presidenti tha gjithashtu se Türkiye ka një nga pesë rrjetet më të mëdha diplomatike në botë me 260 përfaqësuesit e saj.

“Ne zgjeruam horizontin e politikës sonë të jashtme për të mbuluar gjithë botën. Ne kemi forcuar marrëdhëniet tona duke u fokusuar në rajonet që janë lënë pas dore për shumë vjet, si Afrika, Amerika Latine dhe Azia,” shtoi ai.

AA