Erdoğan: Djegia e Kuranit ofendon myslimanët / Foto: AA

Presidenti Erdoğan dënon djegien e Kuranit në Suedi duke theksuar se asnjë individ nuk e ka lirinë të ofendojë besimin e myslimanëve ose feve të tjera. "Djegia e Kuranit në Suedi ofendon të gjithë ata që respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve, veçanërisht myslimanët", deklaroi Erdoğan. Sipas tij ata që lejojnë akte të tilla të turpshme përpara ambasadës turke në Stokholm nuk mund të presin lajme të mira nga Ankaraja për anëtarësimin në NATO. "Nëse ata i duan aq shumë anëtarët e grupeve terroriste dhe armiqtë e Islamit, ne i këshillojmë që t'ua besojnë edhe mbrojtjen e vendit të tyre", tha Erdoğan duke iu referuar Suedisë. Ditë më parë një politikan suedez me qëndrime kundër emigrantëve, i cili i përket krahut të ekstremit të djathtë, dogji një kopje të Kuranit pranë ambasadës turke në Stokholm. Türkiye i kërkoi Suedisë të ndërmarrë veprimet e nevojshme kundër autorëve dhe ftoi të gjitha vendet të veprojnë me hapa konkretë kundër islamofobisë. Po në Stokholm u mbajt një tjetër protestë, në mbështetje të kurdëve dhe kundër kërkesës së Suedisë për t’u bërë pjesë e NATO-s.

TRT Balkan