Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan do të vizitojë Indinë më 8-10 shtator për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Grupit 20 (G20) në kryeqytetin New Delhi.
India si kryesuese e radhës do të jetë mikpritëse e samitit dyditor, i cili do të fillojë të shtunën me temën “Një tokë, një familje, një e ardhme”. Gjatë samitit, liderët e G20-ëshit do të shkëmbejnë pikëpamjet në tri sesione.
Erdoğan pritet të zhvillojë gjithashtu bisedime dypalëshe me krerë të ndryshëm shtetesh dhe qeverish në margjinat e samitit.
Në thelbin e tij, G20-shi është një forum ndërqeveritar i lidhur kryesisht me çështjet ekonomike, i përbërë nga 20 ekonomitë më të mëdha të botës – 19 vende dhe BE-ja. Ai luan rol të rëndësishëm në formësimin dhe forcimin e arkitekturës dhe qeverisjes globale për të gjitha çështjet kryesore ekonomike ndërkombëtare.
Shtetet anëtare janë Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Koreja e Jugut, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Türkiye, Britania dhe ShBA-ja.
Presidenti i radhës është përgjegjës për sjelljen e agjendës së G20-shit në konsultim me anëtarët e tjerë dhe në përgjigje të zhvillimeve në ekonominë globale.
India mban presidencën e G20-shit nga 1 dhjetori 2022 deri më 30 nëntor 2023.
Brazili do të marrë presidencën në vitin 2024 dhe Afrika e Jugut në 2025.