Erdoğan: Ekonomia turke u menaxhua nga zyrtarët e FMN-së, ne e ndryshuam atë / Foto: AA

Presidenti turk dhe kryetari i AK Partisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha të premten se është shumë e rëndësishme që Türkiye të arrijë pavarësinë energjetike në të ardhmen.

"Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të eksploruar gazin natyror dhe naftën si në tokë ashtu edhe në det. Do të vazhdojmë përpjekjet tona derisa të arrijmë pavarësinë energjetike", tha Erdoğan në një fjalim para qytetarëve në mitingun e AK Partisë në Erzurum.

Ai theksoi se në 21 vitet e kaluara kanë arritur të bëjnë gjithçka që nuk ka mundur të arrihet as 80 vjet më parë.

"Tani na pret një epokë e re dhe quhet "Shekulli turk". Ne kemi hedhur infrastrukturën për këtë ideal me hapat që kemi bërë në 21 vitet e fundit. Para nesh ka pasur probleme në vend me rrugë, spitale, shkolla, universitete, objekte sportive, por ne i zgjidhëm të gjitha këto”, tha Erdoğan dhe shtoi: “Para nesh, Türkiye kishte problem edhe me prodhimin, problemin e varësisë nga vendet e tjera, por edhe atë e zgjidhëm. Para nesh, Türkiye ishte e dobët, ekonomia e së cilës menaxhohej nga zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Por, ne e ndryshuam plotësisht edhe atë".

Ai kujtoi se kanë arritur të shlyejnë gjithë borxhin ndaj FMN-së shumë kohë më parë. Ai gjithashtu shtoi se para qeverisjes së AK Partisë, Türkiye ishte një vend që kishte nevojë për të tjerët në luftën kundër organizatave terroriste.

"Por, ne nuk presim më armë ose leje nga të tjerët. Me dronë, helikopterë ATAK, aeroplanë Kizilelma që i prodhojmë vetë, i mposhtim terroristët", tha Erdoğan.

AA