Erdoğan falënderon diasporën dhe u bën thirrje të votojnë në balotazh / Foto: AA

Presidenti i Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan ka falënderuar votuesit jashtë vendit që votuan për zgjedhjet e 14 majit dhe u bëri thirrje që të votojnë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 28 maj.

“Qytetarët e mi të dashur që jetoni jashtë vendit, kemi përfunduar me sukses raundin e parë të zgjedhjeve në të cilat ju keni dalë në votime në numër rekord”, publikoi presidenti Erdoğan në llogarinë e tij në Twitter.

Më tej, Erdoğan shtoi se votuesit jashtë vendit pavarësisht të gjitha vështirësive përmbushën në mënyrën më të mirë detyrat e tyre si qytetarë dhe treguan interes të madh ndaj personalitetit të tij dhe Aleancës Popullore.

“Ju nuk u përkulët para përpjekjeve të anëtarëve të organizatës terroriste për t'iu trembur, për t'iu ushtruar presion dhe për të grabitur vullnetin tuaj. Ju i shtuat forcë demokracisë turke, na keni bërë krenarë të gjithëve si komb. Secili prej jush ka shkruar me germa të arta emrin e tij në historinë tonë politike”, deklaroi Erdoğan.

Presidenti i Türkiyes përcolli falënderimet e përzemërta për votuesit jashtë vendit për qëndrimin e drejtë, demokratik dhe të qëndrueshëm që kanë paraqitur, ndërsa i ftoi të shfrytëzojnë të drejtën e votës edhe në balotazh.

“Tani kemi përpara raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Procesi i votimit jashtë vendit dhe në pikat doganore fillon nesër (e shtunë, 20 maj). Duke i ndjekur nga afër datat e zgjedhjeve në vendet ku ndodheni, nga ju kërkoj që të përdorni patjetër të drejtën tuaj demokratike. Pres që ju, përfaqësuesit e kombit tonë jashtë vendit të mbështesni fuqishëm edhe një herë vullnetin tuaj. Sinqerisht besoj dhe shpresoj se nga kjo sprovë do të dalim faqebardhë”, publikoi Erdoğan në Twitter.

AA