Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, pas shpalljes së fitores jozyrtare në balotazhin presidencial të së dielës, iu drejtua mijëra përkrahësve të mbledhur para selisë së partisë në Ankara.
Në fjalimin tradicional të fitores nga ballkoni i selisë, Erdoğan tha se sot ka fituar Türkiye dhe demokracia e saj.
“Ky rezultat zgjedhor është më se i mirëpritur për ne. Fitues nuk jemi vetëm ne. Fitues janë Türkiye dhe demokracia”, tha presidenti i rizgjedhur. Ai theksoi se fitues i këtyre zgjedhjeve janë të gjithë 85 milionë qytetarët turq.
Presidenti falënderoi qytetarët për besimin që ta udhëheqë vendin edhe për pesë vjet të tjera.
"Shpresoj të vazhdojmë të ndërtojmë dhe ringjallim "Shekullin e Türkiyes" së bashku”, tha Erdoğan.
Ai u ndal me disa fjalë edhe te raportimi i mediave perëndimore gjatë fushatës zgjedhore në Türkiye, ndërsa rezultatin zgjedhor e quajti “humbje për mediat perëndimore”, të cilat u përpoqën ta “shkatërrojnë” nëpërmjet ballinave.
Erdoğan tha se tani është koha për t'u bashkuar dhe integruar rreth synimeve dhe ëndrrave kombëtare, ndërsa e përmendi ekonominë si një ndër prioritetet e qeverisjes së tij.
Gjithashtu, presidenti turk tha se do të përkushtohen në rimëkëmbjen e mëtejshme pas tërmeteve të 6 shkurtit.
“Shërimi i plagëve të tërmeteve të 6 shkurtit dhe rimëkëmbja e qyteteve të shkatërruara do të vazhdojë të jetë në krye të prioriteteve tona”, tha Erdoğan.