Türkiye është e vendosur të çrrënjosë grupin terrorist PKK, i cili cenon gjithashtu integritetin territorial të Sirisë dhe Irakut, tha të hënën presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, gjatë Sesionit Ministror të 38-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Istanbul.
Erdoğan tha se edhe pse emrat, deklaratat dhe gjeografia e grupeve terroriste janë të ndryshme, ata targetojnë myslimanët, dhe kërkoi përkrahje nga COMCEC për përpjekjet e Türkiyes kundër “armiqve të islamit dhe njerëzimit”.
“Javën e kaluar, 8 qytetarë tanë, përfshirë 3 fëmijë, u vranë nga PKK-ja në Istiklal dhe pastaj në rajonin Kakamis. Sigurisht, në këtë gjakderdhje… faj kanë edhe ata që furnizuan terroristët me armë dhe i përkrahin ata nën pretekstin e luftës kundër DAESh-it, po aq sa ka faj kjo organizatë terroriste separatiste”, tha Erdoğan.
Përkundër të gjitha paralajmërimeve të Türkiyes, Erdoğan shtoi, “gjaku i secilit të pafajshëm që ka humbur jetën, është lyer në duart dhe fytyrat e atyre që tentojnë të legjitimojnë organizatat terroriste”.
Ai tha se duhet të përfundojë loja e përkrahjes së grupit terrorist PKK dhe të lidhurit me ta, nën pretekstin e luftës kundër organizatës terroriste DAESh.
Türkiye, e cila luftoi DAESh-in në terren dhe e mundi këtë organizatë, nuk ka më lukth për këto argumente, nënvizoi presidenti.
Së fundmi, Türkiye nisi operacionin Kthetra-Shpata në Irakun verior dhe Siri, një fushatë ajrore ndërkufitare kundër grupit të terrorit PKK/YPG, i cili ka strehimore ilegale përgjatë kufirit me Irakun dhe Sirinë, ku planifikojnë dhe ndonjëherë realizojnë sulme në tokën turke.
Pas nisjes së operacionit ajror më 20 nëntor, Erdoğani gjithashtu ka sinjalizuar një operacion tokësor në Irakun verior dhe Siri për të eliminuar kërcënimin terrorist.
Në fushatën e terrorit mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, organizata PKK – e listuar si terroriste nga Türkiye, ShBA dhe BE – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë. YPG-ja është dega e saj në Siri.
Erdoğan gjithashtu rikujtoi se Türkiye po e përmbush obligimin e saj duke pranuar 3.5 milionë refugjatë sirianë në tokën e saj dhe duke përkrahur miliona të tjerë brenda kufijve të Sirisë.
“Vendet islamike duhet të tregojnë vullnet më të fuqishëm dhe të përkrahin aktivisht përpjekjet për zgjidhje politike në Siri, me qëllim që Siria të dalë nga spiralja e konfliktit, krizës humanitare dhe terrorizmit”, shtoi Erdoğan.
Lufta Rusi - Ukrainë
Türkiye punon fuqishëm për të ndalur luftën dhe gjakderdhjen mes Rusisë dhe Ukrainës që nga dita e parë, tha presidenti Erdoğan.
“Kem treguar se një zgjidhje diplomatike është e mundur me realizimin e korridorit të drithit dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve”, tha ai.
Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina kanë firmosur një marrëveshje në Istanbul për të vazhduar eksportin e dridhit prej 3 porteve ukrainase në Detin e Zi, që ishte ndaluar që nga shkurti për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Disa ditë para skadimit, marrëveshja historike e drithit u zgjat edhe për 120 ditë të tjera, duke filluar nga 19 nëntori.
“Besojmë se zgjatja e Marrëveshjes për Korridorin e Detit të Zi për 120 ditë duke filluar nga 19 nëntori do të zbusë vuajtjen e vëllezërve tanë afrikanë në veçanti. Shpresojmë se do ta mbështesim këtë proces duke dërguar drithërat me prioritet në kontinentin afrikan”, shtoi presidenti turk.
Minoriteti mysliman në Greqi
Erdoğan tha se po vazhdojnë me vite praktikat “jokorrekte dhe të kundërligjshme” kundër minoritetit turk mysliman në Greqi.
Ai shtoi se liderët religjiozë të minoritetit turk në Greqi nuk njihen, fondacionet dhe pronat e tyre konfiskohen, nuk lejohen të mësojnë gjuhën amtare dhe identiteti i tyre mohohet.
“Bota islame nuk duhet të jetë më spektator i halleve të vëllezërve dhe motrave tona të persekutuar në Greqi”, tha presidenti Erdoğan.
Çështja e Palestinës
Duke folur për çështjen palestineze, Erdoğan tha se Türkiye e përkrah vendosjen e një shteti të pavarur, sovran dhe të integruar gjeografikisht të Palestinës, me kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet.
“Po bëjmë më të mirën për të siguruar që populli palestinez të ketë shtetin e tyre, të drejtat legjitime dhe që status kuo-ja të ruhet në Jerusalem dhe xhaminë Al-Aksa”, thotë Erdoğan.
Türkiye dhe Izrael kanë ndërmarrë hapa për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë rikthimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ricaktimin e ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm pas një ndërprerjeje katërvjeçare.
Ankaraja, sidoqoftë, ka nënvizuar vazhdimisht se nuk do të ndryshojë qëndrim rreth çështjes së Palestinës dhe vazhdon të përkrahë zgjidhjen për dy shtete, që do t’i jepte fund konfliktit disadekadësh.