Erdoğan: Industria turke e mbrojtjes ka shkruar një histori suksesi.     /Foto: AA

Türkiye i kushton “rëndësi të madhe” zhvillimit të industrisë së saj të mbrojtjes pavarësisht embargove, tha të martën (25 korrik) presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

"Si Türkiye, ne i kushtojmë rëndësi të madhe zhvillimit të industrisë sonë të mbrojtjes, pavarësisht nga pengesat e shumta, embargove sekrete dhe të hapura me të cilat përballemi", tha Erdoğan në një video-mesazh për Panairin e 16-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes 2023 që nisi sot Istanbul.

Një nga ngjarjet më të mëdha të mbrojtjes globale, e cila u hap të martën dhe do të vazhdojë deri të premten (28 korrik), po ekspozon një sërë produktesh të mbrojtjes duke përfshirë automjete tokësore, armë, simulatorë, radarë, sonare, zgjidhje platformash detare, sisteme aviacioni, raketa, automjete logjistike, pajisje furnizimi dhe sisteme sigurie.

“Sektori i industrisë turke të mbrojtjes ka shkruar një histori suksesi që është ndjekur me admirim nga e gjithë bota vitet e fundit", tha presidenti turk Erdoğan.

“Industria jonë e ka dëshmuar vlerën e saj me automjetet e saj të blinduara, artilerinë, raketat, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe të gjitha llojet e armëve dhe sistemeve të radarëve të testuar në zonat e konfliktit”, theksoi ai.

Presidenti përshëndeti aftësitë e Türkiyes në teknologjinë e dronëve, duke thënë se ajo është ndër tre vendet më të mira në botë në këtë fushë.

"Turkiye, e cila është një nga dhjetë vendet që prodhon luftanijen e saj, është gjithashtu një eksportues i rëndësishëm në këtë fushë," shtoi ai.

Türkiye, sipas presidentit turk po zbaton "me përpikëri" 850 projekte të ndryshme që do të lënë gjurmë në industrinë e mbrojtjes.

"Vitin e kaluar arritëm një shifër eksporti prej 4,4 miliardë dollarësh. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, arritëm një nivel rekord eksporti prej 2,3 miliardë dollarësh. Objektivi ynë në 2023 është 6 miliardë dollarë."

Ankaraja nuk është vetëm për shitjen e produkteve, por synon të krijojë partneritete afatgjata dhe të zhvillojë projekte të përbashkëta, shtoi ai.

"Ne kemi kënaqësinë të paraqesim njohuritë dhe përvojën tonë në industrinë e mbrojtjes në dobi të miqve tanë," tha Erdoğan.

TRT Balkan / agjencitë