Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, në orët e para të së hënës iu drejtua simpatizantëve të mbledhur para selisë qendrore të AK Partisë në Ankara. Erdoğan tha se, edhe pse nuk janë numëruar të gjitha votat, sidomos ato nga diaspora, rezultatet tregojnë se ai është në përparësi të madhe ndaj kundërkandidatëve në garën presidenciale.
“Edhe pse rezultatet përfundimtare nuk janë ende të qarta, ne jemi para me dallim të madh”, tha presidenti turk.
Erdoğan tha se beson që “raundin e parë do ta përfundojmë me më shumë se 50% të votave të fituara”, ndërsa theksoi se aktualisht udhëheq me 2,6 milionë vota diferencë ndaj rivalit më të afërt.
Gjithashtu, presidenti Erdoğan njoftoi se partia e tij po udhëheq bindshëm edhe në zgjedhjet parlamentare të vendit.
Sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, presidenti i Türkiyes e vlerësoi si proces të suksesshëm dhe festë të demokracisë.
“Vendi ynë ka përfunduar me sukses një tjetër festë të demokracisë me zgjedhjet e 14 majit”.
Në garën presidenciale, presidenti Recep Tayyip Erdoğan kërkon rizgjedhjen, ndërsa ka për kundërkandidatë Kemal Kılıçdaroğlu dhe Sinan Oğan.
Ndërsa në garën për zgjedhjet parlamentare ishin mbi 24 parti politike dhe mbi 151 kandidatë të pavarur për 600 vende në Kuvendin e Madh Popullor të Türkiyes.