Erdoğan: Kemi siguruar që Marrëveshja e Drithërave të zgjatet / Photo: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan theksoi se kanë siguruar zgjatjen e Marrëveshjes për Korridorin e Drithërave të Detit të Zi, e cila skadon nesër.

“Pas bisedimeve me të dyja palët, ne kemi siguruar zgjatjen e Marrëveshjes që skadon më 19 mars”, tha Erdoğan në një ceremoni në Çanakale.

Erdoğan falënderoi Rusinë, Ukrainën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për përpjekjet e tyre për të zgjatur edhe një herë marrëveshjen.

“Kjo Marrëveshje, e cila ka siguruar dërgimin e 25 milionë tonë drithë në tregjet botërore nga më shumë se 800 anije, është me rëndësi jetike për stabilitetin e furnizimit global me ushqim”, shtoi presidenti turk.

Nga ana tjetër, ministri ukrainas i infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, tha se marrëveshja po zgjatet për 120 ditë.

“Faleminderit Antonio Guterres, Presidentit Erdoğan, Ministrit turk (të Mbrojtjes Kombëtare) Hulusi Akar dhe të gjithë partnerëve tanë për respektimin e marrëveshjeve. Për shkak të përpjekjeve tona të përbashkëta, 25 milionë tonë drithë ukrainas janë dorëzuar në tregjet botërore”, shkroi ai në Twitter.

Korrikun e kaluar, Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase në Detin e Zi, të cilat u pezulluan pas fillimit të luftës ruso-ukrainase në shkurt 2022.

TRT Balkan / agjencitë