Erdoğan: Kemi strehuar përkohësisht 2,4 milionë, rindërtimi brenda 1 viti / Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u zotua të mërkurën të rindërtojë rajonin jugor të vendit, të goditur muajin e kaluar nga tërmetet e fuqishme që morën jetën e të paktën 48.448 njerëzve.

"Ne kemi një premtim për kombin tonë për të ringritur qytetet tona, të cilat u shkatërruan nga tërmeti, brenda një viti. Jemi gati të finalizojmë vlerësimin e dëmeve," tha Erdoğan në mbledhjen e grupit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AK Party në parlament.

Türkiye po planifikon të ndërtojë 319.000 shtëpi brenda një viti, shtoi Erdoğan.

“Detyra jonë është të qetësojmë zemrat, të ndajmë dhimbjen, të shërojmë plagët, të kompensojmë humbjet financiare, veçanërisht të shtëpive”, tha ai.

Presidenti turk Erdoğan theksoi se është siguruar strehim për 2,4 milionë njerëz në zonat e tërmetit me ngritjen e 433.000 vendbanimeve në tenda. Ai tha gjithashtu se shtëpitë nga kontejnerët do të arrijnë në 100.000 së shpejti.

Më 6 shkurt, tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca - Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Elazig, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaras, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.

Më shumë se 13,5 milionë njerëz në Türkiye janë prekur nga tërmetet shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.

AA