Presidenti turk uron që ky vendim, i cili është i një rëndësie jetike për funksionimin e pandërprerë të zinxhirëve globalë të furnizimit me ushqim dhe veçanërisht për lehtësimin e aksesit në grurë të vendeve në nevojë, të jetë i dobishëm për të gjitha palët.
Presidenti i Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan njoftoi se Marrëveshja e Korridorit të Drithit e Detit të Zi është zgjatur edhe për 2 muaj.
“Me përpjekjet e vendit tonë, mbështetjen e miqve tanë rusë dhe kontributet e miqve tanë ukrainas, u vendos që të zgjatet Marrëveshja e Drithit e Detit të Zi edhe për 2 muaj të tjerë”, ka shkruar Erdoğan në Twitter.
Ai ndërkohë shtoi se do të vazhdojnë përpjekjet për të siguruar që të gjitha kushtet e marrëveshjes janë përmbushur dhe se ajo do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.
“Gjithashtu, miqtë tanë rusë deklaruan se nuk do të pengojnë daljen e anijeve turke në portet e Mykolaiv dhe Olvia. Ne u jemi mirënjohës atyre për këtë”, vijon më tutje Erdoğan, duke shtuar se shpreson që do të shohim ditët kur lufta midis Rusisë dhe Ukrainës do të përfundojë së pari me një armëpushim të përhershëm dhe më pas me paqe.
Në vazhdim presidenti turk shprehi falënderime për eksponentë të lartë të politikës ndërkombëtare.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Presidentin e Rusisë, zotin Putin, për mbështetjen e tij të sinqertë për përpjekjet tona në këtë proces. Do të doja të falënderoja gjithashtu Presidentin e Ukrainës, z. Zelensky, për bashkëpunimin e tij konstruktiv. Do të doja të falënderoja gjithashtu Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Guterres, për përpjekjet e tij në këtë proces”, ka shkruar Erdoğan.
Erdoğan uron që ky vendim, i cili është i një rëndësie jetike për funksionimin e pandërprerë të zinxhirëve globalë të furnizimit me ushqim dhe veçanërisht për lehtësimin e aksesit në grurë të vendeve në nevojë, të jetë i dobishëm për të gjitha palët.