Erdoğan ndau çelësat e mijëra apartamenteve dhe shtëpive të reja në Malatya.    / Foto: AA

Ndër të tjerash, presidenti turk deklaroi se zgjedhjet me 14 maj kanë rëndësi historike për Türkiyen, meqë do të përcaktojnë jo vetëm pesë vitet e ardhshme, por gjysmëshekullin e vendit të tyre.

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, mori pjesë dje në ceremoninë e fillimit të njësisë së banimit dhe ua dorëzoi çelësat qytetarëve të Malatya, një qytet në rajonin turk me të njëjtin emër që u godit nga tërmetet shkatërruese më 6 shkurt.

“Nuk kemi harruar jetët e humbura nga tërmeti, nuk kemi harruar ëndrrat që kanë mbetur nën rrënoja. Ne nuk mund t'i kthejmë të vdekurit, por jemi të vendosur të kompensojmë të gjitha humbjet e tjera", tha presidenti i Türkiyes.

Erdoğan hodhi gurin e themelit për njësitë e banimit që do të ndërtoheshin në zonën e shkatërruar nga tërmeti dhe dorëzoi çelësat e 1.442 apartamenteve, 250 shtëpive dhe 47 dyqaneve.

Presidenti turk deklaroi se shtëpitë e rrënuara do të zëvendësohen me të sigurta e moderne dhe vendet e restauruara do të jenë më komode. Ai theksoi se qytetet do të marrin një formë të re dhe moderne. Në fjalën e tij, Erdoğan iu referua edhe zgjedhjeve të planifikuara për 14 maj.

“Katastrofa e shekullit – tërmetet e 6 shkurtit dhe zgjedhjet që do të mbahen më 14 maj kanë një rëndësi të madhe për vendin. Türkiye do të ketë zgjedhje historike. Këto zgjedhje do të përcaktojnë jo vetëm pesë vitet e ardhshme, por edhe çerekshekullin e ardhshëm, gjysmë shekulli të vendit tonë dhe popullit tonë”, tha Erdoğan.

Presidenti i Türkiyes tha se synimi është kthimi në jetën normale në zonën e prekur nga tërmetet.

Erdoğan premtoi më parë, dhe tani përsëriti, se 319.000 shtëpi do të ndërtohen në vitin e parë, nga një total prej 650.000 që janë planifikuar.

TRT Balkan / agjencitë