Erdoğan: Në 21 vjet, 24 miliardë euro investime për ujin

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se në 21 vjet vendi i tij ka ndërtuar "më shumë se dyfishin e digave në historinë e Republikës".

"Në 21 vjet ne kemi ndërtuar më shumë se dyfishin e digave në historinë e Republikës, nuk kemi pranuar që as një pikë uji i vendit tonë të shkojë dëm", shkroi presidenti Erdoğan në rrjetet sociale me rastin e Ditës Botërore të Ujit.

Më tej, Erdoğan njoftoi se do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë intensive për të mbrojtur burimet e ujit të cilat janë "vlera më strategjike e shekullit të ardhshëm".

Në postimin e tij, që përmbante edhe një infografikë lidhur me investimet për ujin, Erdoğan thotë se përkujdesi për ujin do të vazhdojë edhe më tej.

"Me vetëdijen se qytetërimi ynë është burimi i jetës, do të vazhdojmë pa ndërprerë projektet tona që përdorin ujin në mënyrë efikase, e menaxhojnë atë në mënyrë korrekte dhe e bashkojnë atë me popullin tonë të dashur në mënyrën më të mirë", shkruan presidenti turk.

Sipas infografikës, në 21 vjet janë kryer 479 miliardë lira (rreth 24 miliardë euro) investime për ujin, respektivisht janë kryer investime për 716 diga, 615 hidrocentrale, 1.633 objekte vaditëse, 481 rezervuare dhe pellgje uji, 302 komplekse të ujit të pijshëm, 24 impiante të ujërave të zeza, 5.395 objekte për kontrollin e përmbytjeve, 101 depozita nëntokësore, si dhe investime për ushqim artificial.

AA