Presidenti i Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Spitalit të Qytetit në Gaziantep dhe në dorëzimin ceremonial të çelësave të banesave për qytetarët që mbetën të pastrehë nga tërmeti që goditi juglindjen e vendit në shkurt të vitit të kaluar.
"Nuk do të jemi të qetë derisa të rindërtojmë qytetet tona të prekura nga tërmeti, përfshirë infrastrukturën e tyre në qendrat e qyteteve dhe fshatrat", tha Erdoğan në fjalimin e tij.
Ai theksoi se sot zyrtarisht po hapin spitalin e ri, rrugët e reja të ndërtuara dhe ua dorëzojnë banesat qytetarëve.
“Ka kaluar një vit nga tërmeti që preku 14 milionë njerëz dhe ne po e përmbushim shpejt premtimin tonë për të shëruar plagët e njerëzve”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se Spitali i Qytetit në Gaziantep ka një sipërfaqe të mbyllur prej 680.000 m2 dhe gjithsej 1.875 shtretër.
Erdoğan shtoi se kanë filluar të dorëzojnë edhe çelësat e banesave të reja të ndërtuara për njerëzit që kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti shkatërrues.
“Dje ua dorëzuam apartamentet e para përdoruesve në Hatay, sot po bëjmë të njëjtën gjë në Gaziantep, të martën në Kahramanmaras, të mërkurën në Sanliurfa, të enjten në Adiyaman dhe të premten në Elazig”, tha Erdoğan.
Në ceremoninë e hapjes së spitalit në Gaziantep morën pjesë ministri i Thesarit dhe Financave Mehmet Simsek, ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Në kuadër të punimeve ndërtimore që po kryhen aktualisht në rajon nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanizimit, 110.450 punëtorë po punojnë në 930 kantiere në 11 qytete të prekura nga tërmeti.
Në zonën e prekur nga tërmeti, çelësat e 75.364 shtëpive do t'u dorëzohen përdoruesve brenda dy muajve dhe 200 mijë në total deri në fund të vitit.
Sipas vlerësimit të dëmeve në 11 qytetet e prekura nga tërmeti, gjithsej 850 mijë njësi, përfshirë 680 mijë shtëpi dhe 170 mijë ndërtesa tregtare u dëmtuan rëndë dhe u bënë të papërdorshme. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti u vlerësuan në 104 miliardë dollarë.
Më shumë se 53 mijë qytetarë humbën jetën nga tërmeti shkatërrues që goditi Türkiyen juglindore në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit.