Türkiye nuk do ta harrojë kurrë solidaritetin e treguar nga BE-ja, OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare pas tërmeteve të 6 shkurtit, tha të hënën Presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
“Nuk do ta harrojmë kurrë solidaritetin e treguar nga të gjithë miqtë tanë, BE-ja me institucionet e saj, vendet anëtare dhe kandidate, nga OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, në këto ditë të vështira”, tha Erdoğan në një videomesazh me të cilin iu drejtua Konferencës së Donatorëve të organizuar nga BE-ja.
Erdoğan tha se kostoja e shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti do të arrijë rreth 104 miliardë dollarë dhe nuk është e mundur që asnjë vend të përballet i vetëm me një fatkeqësi të tillë. Ai tha se edhe kjo konferencë është dëshmi se sa të forta janë marrëdhëniet mes popujve.
Presidenti turk u zotua të rindërtojë zonat e prekura nga tërmeti.
"Do të rindërtojmë dhe ringjallim të gjitha qytetet tona të shkatërruara nga tërmeti me infrastrukturën, vendet e punës, vlerat historike dhe kulturore", theksoi Erdoğan.
Më 6 shkurt, tërmete me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca – Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Elazig, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaraş, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa – në Türkiyen jugore dhe morën jetën e të paktën 50.096 njerëzve.
Më shumë se 13.5 milionë njerëz në Türkiye janë prekur nga tërmetet shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.
Türkiye aktualisht pret më shumë se 4 milionë refugjatë, përfshirë 3,5 milionë sirianë, tha Erdoğan.
Ai nënvizoi gjithashtu se derisa shteti turk po shëron plagët nga fatkeqësia e shekullit, ata gjithashtu po solidarizohen me popullin sirian.
"Ne ofrojmë lehtësimin e nevojshëm për palët e treta dhe vendet e tjera për të transferuar materiale të ndihmave humanitare nga toka dhe ajri për viktimat e tërmetit në Siri. Do ta vazhdojmë këtë qëndrim në të ardhmen," shtoi ai.