Erdoğan: Nëse OKB-ja nuk mund të bëjë reforma, nuk e përmbush misionin.     /Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka përsëritur nevojën për reforma në Kombet e Bashkuara (OKB).

“Nëse OKB-ja nuk mund të bëjë reforma dhe të përshtatet me frymën e kohës, nuk mund të përmbushë misionin e saj paqeruajtës. Lufta Rusi-Ukrainë është shembulli më konkret i kësaj”, tha Erdoğan në një takim me gazetarët në Shtëpinë Turke (Turkevi) në New York, ku ai ka udhëtuar për të marrë pjesë në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Erdoğan prej kohësh ka theksuar kërkesën për reforma në OKB, duke thënë se vendimet e saj nuk duhet të jenë peng i pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje.

Kryeministri izraelit do të vizitojë Türkiyen

Presidenti turk po ashtu tha se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të vizitojë Türkiyen.

“Unë i thashë atij (Netanyahut), ‘Fillimisht ne ju presim ju dhe më pas do të bëj vizitë në Izrael me delegacionin tim dhe ne ramë dakord për këtë”, u tha Erdoğan gazetarëve.

“Ne do të fillojmë punën e sondimit energjetik me Izraelin. Jo vetëm do të fillojmë funksionimin e linjave të përçimit të energjisë në Türkiye, por edhe nga Türkiye në Evropë”. shtoi ai.

Të martën, Erdoğan u takua me Netanyahun në Shtëpinë Turke (Turkevi) në New York në margjinat e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë lidhjet dypalëshe dhe konfliktin izraelito-palestinez.

“Aktualisht, ne (Türkiye dhe Izraeli) kemi një vëllim total tregtar prej 9,5 miliardë dollarësh. Ne arritëm një marrëveshje për të rritur këtë vëllim tregtar nga 9,5 miliardë dollarë në një minimum prej 15 miliardë dollarësh në fazën e parë”, tha presidenti turk.

Erdoğan tha se ata diskutuan gjithashtu se çfarë mund të bëjnë së bashku në politikën ndërkombëtare.

“Ne folëm për përfitimet e krijimit të një mekanizmi në të cilin ministrat tanë mund të marrin pjesë për të rritur bashkëpunimin në fusha të ndryshme mes dy vendeve”, shtoi ai.

Është e mundur që të dy vendet të punojnë së bashku për të krijuar bashkëpunime të reja në fusha të tilla si energjia, turizmi dhe teknologjia, tha Erdoğan.

Marrëdhëniet Türkiye-Greqi

Tutje, presidenti Erdoğan tha se samiti i Selanikut pritet të jetë një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet turko-greke, ndërsa ministrat e jashtëm të dy vendeve do të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe do të bëjnë përgatitjet.

Erdoğan tha se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ai ndajnë të njëjtën qasje për të “shpërndarë ajrin e turbulluar” në rajonin e Egjeut.

Ai tha se samiti i Selanikut është përparësi kryesore e Ankarasë.

“Samiti i Selanikut do të jetë një hap i rëndësishëm” në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, nënvizoi ai.

Ai vuri në dukje gjithashtu se ministrat e jashtëm të dy vendeve do të bëjnë përgatitjet e nevojshme për samitin që do të mbahet më 7 dhjetor.

Të dy vendet kanë përjetuar fatkeqësi natyrore kohët e fundit, tha Erdoğan, duke shtuar se ato kanë qenë faktori më i rëndësishëm në afrimin e Türkiyes dhe Greqisë në drejtim të dhënies së ndihmës kur është e nevojshme.

Kontaktet e nivelit të lartë, të cilat duket se po rriten, kanë mbështetur gjithashtu atmosferën pozitive midis Ankarasë dhe Athinës, theksoi ai.

Duke shprehur shpresën se samiti i Selanikut do të jetë katalizator i mëtutjeshëm i zhvillimit të marrëdhënieve, presidenti turk tha se të dy vendet duhet të shmangin hapat dhe diskurset që do të dëmtonin “mjedisin e besimit”.

“Duhet të ndërmarrim hapa së bashku” që ky proces të përparojë me paqe, shtoi ai.

- “Aktivitetet antiterroriste të Azerbajxhanit në Karabak nuk kishin lidhje me Armeninë ose kryeministrin e saj”

Lidhur me aktivitetet e fundit që Azerbajxhani ka ndërmarrë në rajonin e Karabakut kundër grupeve të armatosura, presidenti turk Erdoğan tha se ato nuk kishin të bënin fare me Armeninë apo kryeministrin e saj Nikol Pashinyan, por vetëm me “bandat” armene në rajon.

“Ky incident i fundit (aktivitetet antiterroriste të Azerbajxhanit në Karabak) nuk ka të bëjë me Pashinyanin. Ai gjithashtu nuk ka të bëjë me shtetin armen. Ka lidhje me bandat armene në Karabak”.

“Përpjekja e tyre për të mbajtur zgjedhje presidenciale shqetësoi ndjeshëm Pashinyanin dhe Azerbajxhanin. Azerbajxhani e pa këtë ngjarje si përpjekje për të ndezur një proces të vazhdueshëm. Përveç kësaj, përpjekja për të martirizuar vëllezërit dhe motrat tona (azerbajxhanas) e çoi situatën në një nivel krejtësisht tjetër”, shtoi ai.

“U dhanë paralajmërime, por pavarësisht nga të gjitha këto paralajmërime, ata nuk e rregulluan veprimin e tyre. Përkundrazi, ata e vazhduan procesin. Si rezultat, Azerbajxhani ndërmori veprime”, theksoi Erdoğan.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit dje njoftoi se ndërpreu masat “kundër terrorizmit”, një ditë pasi ato u nisën për të çarmatosur grupet armene në Karabak dhe për të mbështetur marrëveshjen trepalëshe të vitit 2020.

Marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone përreth.

Në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen gjatë luftimeve që zgjatën 44 ditë. Lufta përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia dhe filluan bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

TRT Balkan / agjencitë