Një nga drejtuesit më të rëndësishëm të lartë të organizatës terroriste DEASH është kapur në Türkiye, njoftoi presidenti i vendit Recep Tayyip Erdoğan.
Terroristi Bashar Khattab Ghazal al-Sumaidai, me emrin e koduar Abu Zeid/Mjeshtri Zeid, u kap në një operacion të suksesshëm nga inteligjenca turke dhe policia e Istanbulit, u tha Erdoğan gazetarëve në aeroplanin presidencial gjatë kthimit nga turneu i tij ballkanik.
“Raportet ndërkombëtare dhe raporti i Sigurisë së OKB-së përmbanin gjithashtu informacione se ky terrorist ishte një nga drejtuesit e lartë të organizatës terroriste DEASH”, vuri në dukje presidenti turk.
Erdoğan tha se lidhjet e terroristit në Siri dhe Istanbul janë përcjellë për një kohë të gjatë dhe janë marrë informacione të inteligjencës se ai do të hynte ilegalisht në Türkiye.
Njësitë e sigurisë në Istanbul kanë përcaktuar se terroristi ka përdorur identitet të rremë, shtoi ai.
Gjithashtu, në Raportin e 30-të të Zakonshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të publikuar më 11 korrik 2022, përmendet se pjesëtari i kapur i DEASH-it, Bashar Hattab Ghazal Al Sumaidai, ka marrë pjesë në udhëheqjen e organizatës terroriste.
“Më 3 shkurt, lideri i DEASH-it, Amir Muhammad Sa'id Abdal-Rahman al-Salbi, u vra në operacionin e udhëhequr nga SHBA-ja në Atmah, pranë kufirit turk. Më 10 mars, DEASH-i pranoi vdekjen e al-Salbi-t dhe njoftoi se Abu l-Hassan al-Hashemi al-Qurashi do të zinte vendin e tij. Edhe pse identiteti i vërtetë i Abu al-Hassan-it ende nuk është përcaktuar, mes shteteve anëtare konsiderohet se ky person ka shumë gjasa të jetë irakiani Bashar Khattap Ghazal Al-Sumaidai”, thuhej në raport.