Erdoğan: Për shkurt kohë do t’i shërojmë plagët nga tërmetet.     /Foto: AA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, është zotuar se do të shërojë plagët e shkaktuara nga tërmetet masive të muajit të kaluar në rajonet jugore të vendit.

Duke përmendur përpjekjet e tyre të mëparshme për rindërtim pas fatkeqësive të mëparshme natyrore që kanë ndodhur në Türkiye si zjarret dhe përmbytjet, presidenti Erdoğan tha se ato do të shërojnë plagët nga tërmetet e 6 shkurtit brenda një kohe të shkurtër.

“Nuk ka asnjë vend tjetër në botë, përveç Türkiyes, që mund të vijë në fazën e rindërtimit në një kohë kaq të shkurtër përballë një katastrofe që ka shkaktuar një shkatërrim kaq të rëndë në një zonë kaq të madhe”, tha Erdoğan në ceremoninë e hapjes së parë të themeleve për 17.902 shtëpi në provincën jugore Kahramanmaraş.

Erdoğan tha se tërmetet vdekjeprurëse nuk do ta largojnë vullnetin e Türkiyes për sukses dhe vendosmërinë e saj për të aktualizuar vizionin e saj për nismën “Shekulli i Türkiyes”.

“Ne kemi përvjelë mëngët për të ndërtuar 77.057 shtëpi fatkeqësie dhe 30.310 shtëpi fshati në Kahramanmaraş pas vlerësimeve të dëmeve”, tha ai.

Erdoğan përsëriti zotimin e tij për të dorëzuar shtëpitë e përhershme të viktimave të tërmetit brenda një viti.

Presidenti turk po ashtu theksoi se mbi 50 mijë njerëz ndërruan jetë nga tërmetet, me të paktën 12.307 në Kahramanmaraş.

Më 6 shkurt, dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7,6 dhe 7,7 goditën 11 provinca turke, si pasojë e të cilave mbi 13,5 milionë njerëz u prekën në Türkiye, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore.

AA