Türkiye do të fillojë procedurën parlamentare për miratimin e protokollit për anëtarësimin e Finlandës në NATO, njoftoi sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan pas takimit me homologun finlandez Sauli Niinistö në Ankara. Erdoğan tha se shpreson që procedura të rrumbullakësohet para zgjedhjeve.
"Türkiye vendos ta fillojë procesin e anëtarësimit të Finlandës në NATO në parlamentin e saj, pasi vendi nordik ka përmbushur zotimet nga Samiti i Madridit", tha presidenti Erdoğan pas takimit me homologun finlandez.
Sipas presidentit turk, NATO-ja do ta bëjë rolin e saj në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit global duke u bërë më e fuqishme me anëtarësimin e Finlandës.
Presidenti finlandez Niinistö e falënderoi Erdoğanin për pranimin e aplikimit të Finlandës dhe tha se anëtarësimi në NATO është shumë i rëndësishëm për vendin e tij. Ai gjithashtu vlerësoi rolin e presidentit Erdoğan në diplomacinë globale.
“Ju jeni një nga të paktët njerëz në botë që mund të flisni me të gjithë. Ndoshta jeni i vetmi që e bëni këtë", i tha Niinistö presidentit Erdoğan në konferencë për media.
Sa i përket aplikimit të Suedisë, Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë bisedimet me Stokholmin bazuar në parimet e NATO-s dhe qasjes së saj ndaj luftës kundër terrorizmit. Presidenti turk njoftoi se Suedia po i mbron terroristët dhe nuk i ka dorëzuar 120 terroristë që gjenden në listën e dërguar nga Ankaraja.