Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet për një vizitë pune në Ankara, si dhe do të vizitojë edhe qytetin Hatay të goditur nga tërmeti.
Erdoğan priti Stoltenberg në Pallatin Presidencial dhe takimi me dyer të mbyllura zgjati një orë e 20 minuta.
Më parë, Stoltenberg u takua edhe me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu në Ankara.
Pas takimit me Çavuşoğlun, Stoltenberg tha se tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në jug të Türkiyes ishin fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse që ka ndodhur në tokën e NATO-s që nga themelimi i saj.
Ai premtoi vazhdimin e ndihmës së NATO-s në këto kohë të vështira për Türkiyen.
Shefi i diplomacisë turke Çavuşoğlu tha se vizita e Stoltenbergut synon të tregojë solidaritetin e NATO-s.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 të shkallës Rihter, me qendër në provincën Kahramanmaraş, goditën pjesët jugore të Türkiyes më 6 shkurt, duke shkatërruar mijëra ndërtesa dhe duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.
Në Türkiye, të paktën 36.187 njerëz kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit.