Erdoğan: Puçi i 2016 nisi si shkak i qëndrimit propalestinez të Türkiyes / Photo: AA

Tentativa e dështuar për grusht shteti e vitit 2016 në Türkiye kishte synim të rrëzonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit, pasi ajo u bë më e zëshme në mbështetjen e saj për Palestinën, deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Teksa këtë vit shënohet përvjetori i tetë i tentativës vdekjeprurëse për grusht shteti (15 korrik 2016), Erdoğan u shpreh se “Mbështetja e fortë nga ne dhe qeveria jonë për kauzën palestineze shqetësoi lobin global sionist dhe agjentët e ndikimit brenda nesh.”

Ndërsa Türkiye po ndiqte gjithnjë e më shumë një politikë të jashtme divergjente, “shqetësimi i këtyre qendrave u bë i dukshëm”, shtoi presidenti turk gjatë fjalimit të tij në Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, një ditë kombëtare që Türkiye e ka shënuar që atëherë çdo vit.

Që nga ngjarja e ndodhur në tetor 2016, kombi çdo vit përkujton 15 korrikun si Ditën e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, me ngjarje të mbajtura në mbarë vendin për të nderuar ata që humbën jetën duke kundërshtuar puçistët dhe për të kujtuar trimërinë e kombit.

Përpjekja e dështuar për grusht shteti, në të cilën 252 njerëz u vranë dhe 2.734 u plagosën, u komplotua dhe u krye nga organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në ShBA, Fetullah Gülen.

Zyrtarët turq kanë kërkuar që ShBA-ja të ekstradojë kreun e FETO-s Gülen, i cili jeton në Pensilvani, për t’u përballur me drejtësinë turke, por zyrtarët amerikanë nuk e kanë pranuar kërkesën.

Gjatë fjalimit të tij, Erdoğan iu referua një takimi të vitit 2009 me presidentin e atëhershëm izraelit Shimon Peres, të cilin ai e sfidoi në Forumin Ekonomik Botëror mbi shtypjen e Tel Avivit ndaj palestinezëve me kundërshtimin tashmë të famshëm, “Një minutë!” “Shkëndija e 15 korrikut u shkrep menjëherë pas ngritjes sonë me shprehjen ‘Një minutë’”, tha ai.

Në debatin e nxehtë në Davos mbi operacionet e Izraelit kundër Gazës në vitin 2009, Erdoğan i pati thënë Peresit: “Kur bëhet fjalë për të vrarë, ju dini shumë mirë se si të vrisni. Unë e di shumë mirë se si keni vrarë fëmijë në plazhe”. Më pas ai doli nga skena duke protestuar ndaj moderatorit që nuk i kishte dhënë kohë të mjaftueshme për të folur.

Erdoğan theksoi se zemërimi dhe dhimbja e Türkiyes për tentativën për grusht shteti mbeten të freskëta pavarësisht kalimit të tetë viteve.

“Vendosmëria jonë për të luftuar kundër FETO-s dhe tutelës së saj është po aq e gjallë, e fortë dhe e vendosur sa ishin në ditën e parë”, tha presidenti turk.

Duke e quajtur FETO-n një “rrjet të tradhtisë” që synon Türkiyen, Erdoğan u shpreh se anëtarët e grupit terrorist do të kujtohen me urrejtje “jo tetë vjet më vonë, por edhe 80 vjet më vonë”.

AA