Refugjatët sirianë kanë filluar të kthehen vullnetarisht në vendin e tyre, tha në takimin e djeshmëm me të rinjtë në Ankara presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
“Ne kemi ndërtuar mbi 100.000 shtëpi për ta në Sirinë veriore ... Gradualisht, refugjatët sirianë kanë filluar të vendosen në këto rezidenca”, tha Erdoğan.
Erdoğan tha se populli sirian po përballet me kërcënime për jetën nga organizatat terroriste në vendin e tyre, duke shtuar se kthimi i tyre me forcë do të ishte shtypje.
“Nuk ka asnjë kufizim kohor për këtë çështje ... Ne japim maksimumin për t’i mbështetur dhe ndihmuar ata në këtë drejtim”, tha ai.
Më shumë se 3,7 milionë sirianë banojnë aktualisht në Türkiye, duke e bërë atë vendin që strehon më së shumti refugjatë në botë.
Pas fillimit të një lufte të përgjakshme civile në Siri, Türkiye miratoi një politikë “të dyerve të hapura” për sirianët që iknin nga persekutimi dhe brutaliteti.
Türkiye ka siguruar kthimin vullnetar të rreth 530.000 njerëzve në zonat e sigurta në Siri, ka thënë më herët presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Sipas zyrtarëve, rreth 42.000 sirianë në Türkiye janë kthyer në vendin e tyre përtej kufirit që nga tërmetet e 6 shkurtit me qendër në rajonin jugor të Türkiyes.
Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar Al-Asadit shtypi me dhunë protestat pro demokracisë.
Qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur, sipas vlerësimeve të OKB-së.