Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, njoftoi se Türkiye gjatë vitit 2022 ka shënuar eksportin më të lartë ndonjëherë, në vlerë prej mbi 254 miliardë dollarësh.
“Eksporti i Türkiyes më i larti ndonjëherë, me vlerë prej 254 miliardë dollarë në vitin 2022. Kemi shënuar rritje prej 12.9% krahasuar me vitin paraprak”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se që kur garnitura e tij politike ka marrë pushtetin në vend, eksporti është 7-fishuar.
“Rritëm për 7 herë eksportet e Türkiyes, të cilat i gjetëm në vlerë 36 miliardë dollarë, kur erdhëm në pushtet para 20 vitesh”, tha Erdoğan.
Presidenti turk tha se tashmë Türkiye eksporton në 197 vende me valutën e saj kombëtare.
"Qëllimi ynë është të sigurojmë që Türkiye të zërë vendin e saj në mesin e 10 vendeve me eksportin më të madh në botë", tha presidenti Erdoğan.
Ai njoftoi se Türkiye është vendi i dytë në botë për eksportin e filmave televizivë, vetëm pas ShBA-së. Është rritur edhe eksporti në shëndetësi, për çka Erdoğan tha se kanë vendosur si qëllim të arrihet 5 miliardë dollarë eksporte në shëndetësi për vitin 2023.
Erdoğan prezantoi shifrat gjatë një programi për tregtinë e jashtme në Istanbul.