Erdoğan: Suedia të ekstradojë terroristët nësë e dëshiron NATO-n.     / Foto: AA

Presidenti i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, kritikoi Suedinë dhe vendet e tjera evropiane për tolerimin e pranisë së vazhdueshme të terroristëve dhe tha se ekstradimi i terroristëve të kërkuar është një domosdoshmëri që ai vend nordik të fitojë të drejtën për t'u anëtarësuar në NATO.

"Ne u thamë atyre, shikoni, nëse nuk i ekstradoni terroristët që keni, atëherë ne nuk mund ta ratifikojmë anëtarësimin në NATO në parlamentin tonë”, tha Erdoğan në një takim me të rinjtë, duke komentuar premtimet e Suedisë dhe të Finlandës për të marrë një vendim të fortë kundër terroristëve me qëllim për të fituar anëtarësimin në NATO.

“Së pari duhet të ekstradojnë rreth 130 terroristë që kërkesat e tyre për anëtarësim në NATO të kalojnë në parlamentin tonë, por fatkeqësisht ende nuk e kanë bërë këtë, shtoi ai duke folur në Mugla.

Duke thënë se demonstratat e organizatës terroriste PKK shihen shpesh në rrugët e kryeqytetit Stokholm, Erdoğan theksoi se Türkiye e ka paralajmëruar vazhdimisht Suedinë për këtë, por Suedia nuk ka bërë asgjë për të ndaluar demonstratat e PKK/PYD.

“Nëse ata nuk mbajnë qëndrim kundër kësaj situate në Suedi, kjo mund të rrisë edhe më shumë tensionin në lidhjet tona me Suedinë”, shtoi Erdoğan.

Mes të tjerash ai theksoi se grupet terroriste nuk janë të pranishme vetëm në Suedi dhe Finlandë. Presidenti turk potencoi se ato shihen edhe në vende si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, megjithëse PKK-ja është në listën zyrtare të grupeve terroriste të Bashkimit Evropian.

"Prandaj, Türkiye do të përcaktojë qëndrimin tonë ndaj tyre," theksoi Erdoğan.

Ai po ashtu komentoi marrëveshjen që Türkiye, Kombet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina arritën në mesin e vitit të kaluar për vazhdimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase të Detit të Zi.

Duke përmendur rolin kyç të Türkiyes në marrëveshjen e drithit të Detit të Zi, Erdoğan tha se qëllimi është të prodhohet mielli nga gruri rus dhe ta dërgojë atë në vendet afrikane në nevojë.

“44 për qind shkuan në Evropë dhe 14 për qind në Afrikë. Tani do ta korrigjojmë dhe do ta dërgojmë në Afrikë”, tha Erdoğan.

TRT Balkan / agjencitë