Erdoğan: Türkiye dëshiron sa më parë të realizojë korridorin Zangezur.     /Foto: AA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka theksuar rëndësinë e hapjes së rrugës tokësore të korridorit Zangezur në Kaukazin jugor.

“Shpresojmë se do të realizojmë sa më parë korridorin Zangezur dhe përmes Nakhchivanit do ta bëjmë të pandërprerë komunikimin tonë rrugor dhe hekurudhor me Azerbajxhanin mik dhe vëllazëror”, tha mbrëmë presidenti Erdoğan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Komentet e presidentit turk vijnë një ditë pas vizitës së tij në enklavën autonome Nakhchivan të Azerbajxhanit, ku ai u takua me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht situatën e fundit në Karabak.

“Ne shpresojmë ta kthejmë rajonin tonë në një pellg të paqes dhe prosperitetit nëpërmjet projekteve të përbashkëta që do të përfshijnë fqinjin tonë Iranin”, tha Erdoğan.

Rajoni Zangezur fillimisht ishte pjesë e Azerbajxhanit, megjithëse sovjetikët ia dhanë atë Armenisë në vitet 1920, duke e lënë Azerbajxhanin të privuar nga një rrugë e drejtpërdrejtë tokësore për në enklavën e saj Nakhchivan.

Pas luftës 44-ditore me Armeninë në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani është përqendruar në infrastrukturë, duke përfshirë autostrada dhe një hekurudhë 43 kilometra përmes korridorit.

Korridori do të jetë afër ose ngjitur me kufirin e Armenisë me Iranin, duke e bërë Teheranin të shqetësuar se projekti mund të ndërpresë kufirin e tij me Jerevanin.

Më herët, presidenti Erdoğan tha se hapja e korridorit është një “çështje strategjike” për Türkiyen dhe është “shumë e rëndësishme” për lidhjet midis Ankarasë dhe Bakut.

AA