Türkiye do të dërgojë drithë dhe produkte të tjera të ngjashme në vendet afrikane në nevojë sapo të fillojnë të mbërrijnë drithërat ruse, deklaroi sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Duke folur me gazetarët në avion pas turneut treditorë në Ballkan, presidenti Erdoğan iu referua deklaratës së liderit rus Vladimir Putin, i cili tha se gruri ukrainas eksportohet në vendet e pasura, jo tek ata që kanë nevojë.
Erdoğan tha se do të krijohet një sistem në mënyrën më ideale të mundshme për të dërguar grurë dhe produkte të tjera në vendet afrikane në nevojë sapo gruri rus të fillojë të mbërrijë si pjesë e marrëveshjes së arritur më parë për shpërndarjen e grurit.
Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul më 22 korrik për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.
Për të mbikëqyrur dërgesat në Istanbul është hapur një qendër e përbashkët koordinimi me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja.
Që nga nisja e anijes së parë sipas marrëveshjes më 1 gusht, të paktën 100 anije kanë transportuar mbi 2.5 milionë tonë produkte bujqësore nga Ukraina.
Erdoğan tha se ka diskutuar për çmimet e gazit natyror me Putinin dhe shtoi se ai synon të sigurojë një rezultat pozitiv për të mirën e qytetarëve të Türkiye-s. Ai gjithashtu theksoi se Evropën e pret një dimër i vështirë.
“Ky dimër nuk do të jetë i lehtë për Evropën, do të jetë shumë problematik, do të jetë një dimër shumë i vështirë në aspektin financiar”, tha Erdoğan.
Ai komentoi gjithashtu veprimet e fundit armiqësore të Greqisë kundër Türkiye-s.
“Athina vazhdimisht ankohet në NATO për Ankaranë, duke u përpjekur të përdorë mekanizma kërcënimi, ndaj ne flasim në një gjuhë që ata kuptojnë”, theksoi Erdoğan.
Presidenti Erdoğan theksoi se Türkiye këtë vit ka regjistruar një numër të madh të turistëve të huaj, duke shtuar se pas pandemisë së COVID-19, vendi po tërheq një numër të madh turistësh nga Rusia, Ukraina dhe Britania e Madhe.
Erdoğan i kaloi tre ditët e fundit duke vizituar vendet e Ballkanit, gjatë të cilave ai vizitoi Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Kroacinë.
9 Sht 2022
Erdoğan: Türkiye do të dërgojë grurin në Afrikë sapo të mbërrijë nga Rusia
Erdoğan tha se do të krijohet një sistem në mënyrën më ideale të mundshme për të dërguar grurë dhe produkte të tjera në vendet afrikane në nevojë.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Altun: Türkiye dëshiron paqen dhe mbështet integritetin territorial në Siri
Kreu i presidencës së Türkiyes përsëriti gatishmërinë e Presidentit Erdoğan për t'u angazhuar me udhëheqësin e regjimit sirian Assad, duke thënë se dialogu është thelbësor në mes të dhunës në rritje, agresionit dhe zhvendosjeve masive.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore