Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij, si një nga vendet që merr një rol udhëheqës në Kombet e Bashkuara (OKB) do të vazhdojë të qëndrojë pranë organizatës për ta mbështetur dhe mbrojtur atë.
"Türkiye do të vazhdojë të jetë një mbështetëse dhe mbrojtëse e fortë e OKB-së, vlerave të përfaqësuara nga OKB-ja dhe aktiviteteve të OKB-së", tha Erdoğan në një deklaratë për shënimin e 77-vjetorit të OKB-së dhe 24 tetorit, Ditës së Kombeve të Bashkuara.
Erdoğan tha se Türkiye është një nga vendet që ka dhënë kontributet "më konkrete" dhe ka marrë role udhëheqëse në punën e kryer brenda OKB-së në fushat e paqes dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
"Ne si një anëtar përgjegjës i komunitetit ndërkombëtar kryesojmë përpjekjet që synojnë shmangien e konflikteve dhe ruajtjen e stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë. Ne kemi udhëhequr dërgesat e grurit ukrainas në botë nëpërmjet Detit të Zi, përmes përpjekjeve intensive që kemi bërë në bashkëpunim me Sekretarin e Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres", tha ai.
Këtë korrik, Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.
Pas sigurimit të dërgesës së mbi 8 milionë tonë drithërave dhe produkteve të ngjashme sipas marrëveshjes së Istanbul-it, e cila së shpejti do të ketë nevojë për rinovim, Erdoğan tha se Türkiye vazhdon "në një mënyrë intensive bisedimet tona diplomatike që synojnë vazhdimin e pandërprerë të dërgesave".
Në fushën e diplomacisë humanitare, Erdoğan theksoi se Türkiye, si donatori kryesor i ndihmave humanitare në botën në raport me të ardhurat e saj kombëtare, luan një rol aktiv edhe nën çatinë e OKB-së.
OKB duhet të marrë një rol më aktiv në kriza
Presidenti Erdoğan megjithatë theksoi nevojën për reforma në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të pasur një botë më të drejtë.
"Është e qartë se OKB-ja duhet të marrë një rol më aktiv në zgjidhjen e krizave që marrin jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm çdo ditë dhe në sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm", tha Erdoğan.
Ai shtoi se një Këshill i Sigurimit "më demokratik, më transparent, më aktiv dhe më i përgjegjshëm" është një pritshmëri e përbashkët nga komuniteti ndërkombëtar.
"Një Asamble e Përgjithshme e OKB-së ku të gjitha vendet anëtare përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe që pasqyron vullnetin e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar duhet patjetër të forcohet", tha ai.
Erdoğan ka kritikuar prej kohësh natyrën jopërfaqësuese të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, duke kërkuar reforma nën sloganin: "Bota është më e madhe se pesë".
Türkiye përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën për të luftuar islamofobinë dhe racizmin kulturor, të cilat përbëjnë një kërcënim për paqen dhe stabilitetin global, tha Erdoğan, duke shtuar: "Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona brenda OKB-së dhe në nivel dypalësh, me qëllim që klima e urrejtjes të mos helmojë paqen sociale".
25 Tet 2022
Erdoğan: Türkiye do të vazhdojë të jetë mbështetës i fuqishëm i OKB-së
Këtë korrik, Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore