Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan deklaroi të mërkurën se Türkiye është bërë konkurrent global në shumë fusha, sidomos në sektorin e industrisë së mbrojtjes.
Gjatë takimit të rregullt me deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara, Erdoğan iu referua edhe sukseseve të Türkiyes në fushën e industrisë së mbrojtjes.
"Ne jemi bërë konkurrentë global në shumë fusha, veçanërisht në sektorin e industrisë së mbrojtjes. Në periudhën e ardhshme do të forcojmë më tej industrinë tonë me një strukturë të orientuar drejt teknologjisë së mesme dhe të lartë duke inkurajuar prodhimin dhe eksportet", tha presidenti turk.
Ai shtoi se Türkiye vazhdon me projekte në fushën e industrisë së mbrojtjes.
“Ndërsa ne ecim përpara në këto projekte, disa, brenda dhe jashtë, ndihen gjithnjë e më të shqetësuar”, tha Erdoğan.
Presidenti Erdoğan tha se nuk ka pengesa që Türkiye të arrijë qëllimet e saj.
"Së bashku do të dëshmojmë se inflacioni do të bjerë në muajt e ardhshëm. Ne duam që viti 2023, 100-vjetori i Republikës sonë, të jetë ndër gëzimet dhe momentet e tjera në çlirimin tonë nga plaga e kostos së jetesës. Ne mund ta bëjmë këtë vetëm me një qëndrim të fortë, të durueshëm dhe dinjitoz që do të tregojmë së bashku me punëdhënësit, punonjësit, tregtarët, prodhuesit dhe konsumatorët, të gjithë 85 milionë banorët tanë", tha Erdoğan.
Presidenti turk tha se Türkiye ka arritur pikën për të sjellë vendin në nivelin që meriton në botë.
“Këtë herë nuk do të lejojmë askënd të pengojë ëndrrat tona që ne si komb duhej t'i shtynim, për shkak të grushteve të shtetit, terrorizmit dhe shumë lojërave të pista", theskoi Erdoğan.
Erdoğan theksoi se përkundër katastrofës që ka kapluar Evropën lidhur me krizën energjetike, Türkiye nuk është në pozitë të tillë.
“Ne kemi zgjeruar disponueshmërinë e gazit natyror në 685 vendbanime, duke përfshirë 81 provincat tona. Ne do të ofrojmë gaz natyror nga Deti i Zi për qytetarët tanë në periudhën e ardhshme. Do të punojmë gjithashtu për zbulime dhe investime të reja derisa të eliminojmë plotësisht varësinë nga burimet e huaja të energjisë”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se Türkiye vazhdon të ofrojë mbështetje në industri dhe investime në infrastrukturë.
“Ne rritëm numrin e bizneseve në zonat tona të organizuara industriale nga 11.000 në 56.000 dhe numrin e vendeve të punës nga 415.000 në 2.3 milionë”, theksoi Erdoğan.
Në fund, Erdoğan tha se beson se Türkiye do ta mbyllë këtë vit me një rritje ekonomke prej 4 deri në 5 për qind.