"Duke ngritur një korridor sigurie përgjatë kufijve të saj jugorë, Türkiye po e mbron veten me sukses nga përhapja e terrorizmit dhe dhunës," u shpreh presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
Në një tubim zgjedhor në provincën Sirnak të Türkiyes përpara zgjedhjeve lokale më 31 mars, Erdoğan tha: "Ne po parandalojmë plotësisht përhapjen e zjarrit rreth nesh në Türkiye duke krijuar një korridor sigurie përgjatë kufijve tanë jugorë".
Ai gjithashtu theksoi se Türkiye po ngre barriera midis saj dhe grupeve terroriste që kërkojnë ta përfshijnë atë në konflikt.
Presidenti Erdoğan përmendi "distancimin nga imperialistët dhe marionetat e tyre", duke iu referuar grupit terrorist PKK/YPG dhe vendeve që Türkiye akuzon se mbështesin grupet terroriste përgjatë kufijve të saj me Irakun dhe Sirinë.
“Organizata separatiste terroriste është një mjet i imponuar ndaj vendit tonë për të përjetësuar tiraninë që synon vendosjen e fashizmit njëpartiak në këto troje”, shtoi presidenti turk.
PKK-ja e cilësuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian, në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega e saj siriane.