Erdoğan: Türkiye "neutralizoi" 59 terroristë të PKK-së që nga 22 dhjetori. / Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij që nga 22 dhjetori ka "neutralizuar" 59 terroristë të PKK-së në kuadër të operacioneve antiterroriste.

"Nëse terrorizmi ka arritur në pikën e përfundimit brenda kufijve tanë sot, operacionet që ne kryejmë në Irak dhe Siri janë arsyeja kryesore për këtë", tha presidenti Erdoğan, duke folur me zyrtarët lokalë në kryeqytetin Ankara.

"Vija jonë e kuqe është të mbështetemi në çdo rrethanë në parimin e një kombi, një flamuri, një atdheu dhe një shteti, pasi kjo garanton mbijetesën tonë kombëtare", shtoi ai.

Presidenti turk theksoi se vendi i tij do të vazhdojë me vendosmëri operacionet antiterroriste derisa "terroristi i fundit të mos jetë më kërcënim për kombin".

"Ne vazhdojmë operacionet tona përtej kufijve tanë. Ne nuk lejojmë terroristët të njollosin atdheun tonë me këmbët e tyre të pista", tha ai.

Autoritetet turke përdorin termin "neutralizim" që nënkupton se terroristët në fjalë u dorëzuan, u kapën ose u vranë.

Operacionet e fundit antiterroriste pasuan sulmin terrorist të PKK-së të premten e kaluar, që vrau 12 ushtarë turq në veri të Irakut. Që atëherë, sulmet ajrore turke kanë shkatërruar dhjetëra objektiva terroriste në Irakun verior dhe Siri, si dhe kanë "neutralizuar" terroristë të lartë.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në veri të Irakut për të komplotuar sulme ndërkufitare në Türkiye. Grupi terrorist gjithashtu ka një degë siriane, të njohur si YPG.

Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur tri operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

TRT Balkan / agjencitë