Erdoğan: Türkiye parandaloi hyrjen e 143 mijë emigrantëve të parregullt / Photo: AA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se forcat turke të sigurisë këtë vit kanë parandaluar hyrjen e 143 mijë emigrantëve të parregullt në vend.

“Prej fillimit të këtij viti, ne kemi parandaluar 143 mijë emigrantë të parregullt të hyjnë në vendin tonë”, tha presidenti Erdoğan gjatë një ceremonie diplomimi në Ankara të oficerëve dhe nënoficerëve të Akademisë së Xhandarmërisë dhe Gardës Bregdetare.

Türkiye gjithashtu ka deportuar rreth 25 mijë emigrantë pasi ka ndaluar gjithsej 61 mijë emigrantë të parregullt në dy muajt e fundit.

“Për të lehtësuar kthimin vullnetar, dinjitoz dhe të sigurt, ndërtimi i rezidencave të përhershme në Sirinë veriore vazhdon. Me përfundimin e këtyre shtëpive të ndërtuara me mbështetjen financiare të Katarit, afër 1 milion nga vëllezërit dhe motrat tona do të mund të kthehen në atdheun e tyre me qetësi shpirtërore”, tha Erdoğan.

Türkiye aktualisht strehon rreth 4 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

AA