Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, nëpërmjet një video-mesazhi iu drejtua Samitit Botëror të Qeverive, që po organizohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Erdoğan falënderoi Emiratet e Bashkuara për solidarizimin me Türkiyen pas tërmeteve tragjike të 6 shkurtit. Ai tha se Türkiye ka pranuar mesazhe ngushëllimi dhe solidarizimi nga mbi 100 vende, ndërsa u shpreh mirënjohës për përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
“Falënderim për të gjitha vendet mike dhe vëllazërore që mbledhin ndihmë për popullin tonë, ndihmojnë në shpëtim dhe na kujtojnë në lutje”, tha presidenti Erdoğan.
Presidenti i Türkiyes njoftoi se ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë mbi 8.000 njerëz nga rrënojat, që kur tërmetet katastrofike goditën jugun e Türkiyes.
Ai njoftoi edhe për gjendjen e të lënduarve nga tërmeti.
“Një pjesë e madhe prej mbi 81.000 të lënduarve nga tërmeti janë lëshuar nga spitalet”, tha presidenti turk, Erdoğan.
Dy tërmete me magnitude 7,7 dhe 7,6 ballësh respektivisht, goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt, vetëm brenda 9 orëve nga njëri-tjetri. Mijëra ndërtesa u shkatërruan dhe mbi 36.000 njerëz humbën jetën në Türkiye dhe Siri. Presidenti Erdoğan tha se asnjë qytetar nuk do të mbetet i pastrehë dhe i pambrojtur, ndërsa premtoi rindërtimin e 10 provincave të prekura brenda 1 viti.