Türkiye do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit brenda dhe jashtë kufijve të saj deri në eliminim të rrezikut, deklaroi presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan në eventin për Ditën e Mësuesit në Ankara.
“Ne do të vazhdojmë këtë përpjekje brenda dhe jashtë kufijve, deri sa kërcënimi terrorist ndaj vendit tonë të përfundojë definitivisht”, tha Erdoğan.
Erdogan tha se Forcat e Armatosura Turke kanë shkatërruar fole terrori në operacionet e kryera në Irakun verior dhe Siri, përgjatë kufirit turk.
“Kudo që janë terroristët, organizata e sigurisë së këtij shteti do të jetë aty. Me polici, me ushtri, me forca të sigurisë”, shtoi presidenti.
Në orët e hershme të së dielës, Türkiye lançoi operacionin Kthetra-Shpata, një fushatë ndërkufitare ajrore kundër grupit terrorist PKK/YPG, i cili ka strehimore ilegale përgjatë kufirit me Sirinë dhe Irakun, ku planifikojnë dhe ndonjëherë kryejnë sulme në tokën turke.
Zyrtarët turq nënvizuan se operacioni është në vijë me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e vendit për vetëmbrojtje sipas rezolutave të OKB-së.
Në fushatën e terrorit 35-vjeçare kundër Türkiyes, organizata PKK – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA dhe BE – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë. YPG-ja është dega e tyre në Siri.