Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka dërguar të dielën një mesazh me rastin e 19 majit, Ditës së Rinisë dhe Sportit, e cila është edhe dita e përkujtimit të presidentit të parë të Republikës moderne të Türkiyes, Mustafa Kemal Ataturk.
Erdoğan theksoi rëndësinë e qëndrueshme të kësaj ngjarjeje, duke e quajtur atë një "gur themeli" për ndërtimin e një Türkiye të fortë.
"Kjo datë shënon shkëndijen për pavarësinë e kombit tonë dhe aspiratat e ardhshme kundër pushtimit armik. Lufta mbarëkombëtare që filloi në Samsun u përhap në të gjithë Anadollin, duke arritur në momente kritike në Amasya, Erzurum, Sivas dhe në fund Ankara”, tha presidenti turk.
Ai ripohoi rëndësinë e "frymës së 19 majit", duke e përshkruar atë si pasurinë më të madhe të Türkiyes në përballjen e sfidave bashkëkohore.
“Lufta jonë për zhvillim, rritje dhe fuqizim mund të vazhdojë vetëm duke pranuar thelbin, parimet, idealet dhe synimet e 19 majit”, shtoi presidenti turk.
Më 19 maj 1919, Mustafa Kemal Ataturku nisi luftën për pavarësinë e popullit të tij, dhe hodhi themelet e Türkiyes së sotme.
Prandaj 19 maji është jashtëzakonisht i rëndësishëm në atë vend. Dita e Rinisë dhe Sportit festohet me manifestime të ndryshme në Republikën e Türkiyes, si dhe në vende të tjera të botës ku jeton diaspora turke.