Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se shtetet evropiane duhet të ndërmarrin masa kundër mbështetësve të grupeve terroriste në vendet e tyre. Gjatë fjalimit në Konferencën Ndërkombëtare të Ombudsmanëve, në rezidencën presidenciale, Erdoğan paralajmëroi se terrorizmi nuk është rrezik vetëm për Türkiyen, por edhe për vendet evropiane, pasi ky rrezik “po përhapet si kancer”.
“Shtetet evropiane duhet të marrin masa kundër mbështetësve të terrorizmit. Në të kundërtën, terrorizmi do të përhapet si kancer”, tha Erdoğan.
Ai kritikoi disa shtete, të cilat janë partnerë të Türkiyes në NATO ose në OKB, se janë shndërruar në parajsa për kriminelët që i kërkon Ankaraja.
“Shtetet me të cilat jemi bashkë në NATO ose nën ombrellën e OKB-së janë bërë parajsë për të arratisurit nga drejtësia turke”, tha presidenti i Türkiyes.
Erdoğan foli edhe për kthimin e refugjatëve në Detin Egje dhe për mossanksionimin e kësaj praktike me pasoja tragjike.
“Asnjë masë nuk është marrë ndaj vendeve që i lënë refugjatët të vdesin në Detin Egje, ose madje i vrasin ata qëllimisht”, tha presidenti turk.
Erdoğan potencoi se deri tani, rreth 550.000 refugjatë sirianë nga Türkiye janë kthyer në Siri, në rajonet që Ankaraja i ka pastruar nga terroristët.