Erdoğan: Xhamia Al-Aksa është 'vija e kuqe' e Türkiyes / Photo: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dënoi ashpër të mërkurën bastisjen e Izraelit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, duke shprehur "trishtimin dhe zemërimin".

"Türkiye nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë sulmeve. Ngritja e dorës ndaj xhamisë Al-Aksa dhe shkelja e shenjtërisë së Haram al-Sharif është vija jonë e kuqe," tha Erdoğan pas një darke iftari me pensionistët në kryeqytetin Ankara.

Deklaratat e tij erdhën pasi tensioni u përshkallëzua kur policia izraelite arrestoi rreth 350 besimtarë nga brenda kompleksit të Xhamisë Al-Aksa.

Një grup palestinezësh u barrikaduan brenda Xhamisë së Kiblës në kompleksin e Al-Aksas pasi kolonët hebrenj bënë thirrje për bastisje në xhami. Ata u përpoqën të pengonin hyrjen e policisë duke mbyllur dyert e saj.

Policia izraelite u ngjit në çatinë e xhamisë, thyen xhamat dhe fillimisht përdori bomba zanore kundër besimtarëve brenda. Disa në xhami u përpoqën t'i rezistonin policisë duke hedhur fishekzjarre.

“Dënoj aktet e ndyra kundër kibles së parë të myslimanëve dhe bëj thirrje që sulmet të ndalen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Erdoğan.

Presidenti turk tha se Izraeli ndjek "politikën e shtypjes", ndërsa theksoi se populli palestinez nuk është i vetëm.

TRT Balkan / agjencitë