Janë nënshkruar kontratat e para për ndërtimin e ndërtesave në vendet ku janë kryer kërkimet e nevojshme dhe në lidhje me ndërtimin e paralajmëruar të 200 mijë apartamenteve të reja në qytetet jugore të Türkiyes që u prekën nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit, njoftoi presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
I shoqëruar nga lideri i Lëvizjes Kombëtare Popullore (MHP), Devlet Bahçeli, presidenti Erdoğan vizitoi sot disa qytete të prekura nga tërmetet në jug të Türkiyes dhe gjatë vizitës në Islahiye tha se shteti është i vendosur të bëjë qytetet e tij vendbanime të sigurta dhe paqësore me një kuptim të ri.
Ai tha se ka ardhur për vizitë për të parë vetë situatën në terren dhe për të biseduar me qytetarët e tij. "Ndërtimi i ndërtesave në Nurdagi, Islahiya, Kilis dhe Adiyaman Kahta do të fillojë tashmë nesër," tha Erdoğan.
Gjithashtu ai shtoi se aktivitetet për përcaktimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet janë drejt fundit dhe se institucionet kompetente turke janë në terren dhe po plotësojnë nevojat e popullsisë së prekur nga tërmeti.
“Duke filluar nga e para, ne do të besojmë në vetvete dhe duam që të gjithë në ndërtesat e reja të jetojnë me vetëbesim. Qëllimi ynë është të përfundojmë në masë të madhe ndërtimin e ndërtesave dhe shtëpive të shkatërruara nga tërmetet brenda një viti”, tha Erdoğan.
Në të njëjtën kohë, kreu i MHP-së Bahçeli falënderoi Erdoğanin që mundësoi vizitën në rajonet e prekura nga tërmetet.
Duke theksuar se pasojat e tërmetit janë të dhimbshme për mbarë popullin turk, Bahçeli tha se në këto ditë të vështira Türkiye është dëshmuar se është një vend i fortë me një lidership të aftë që ka mbështetjen e popullit.
"Të gjitha këto do t'i tejkalojmë dhe do të bëjmë hapa drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të një Türkiye të fortë dhe të madhe”, tha Bahçeli.
Nga tërmeti i 6 shkurtit në Türkiye humbën jetën me shumë se 42 mijë qytetarë.