Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se vendi i tij dhe Bashkimi Evropian (BE) po diskutojnë mënyrat për të trajtuar më mirë migracionin e parregullt.
"Ekziston një mekanizëm midis BE-së dhe Türkiyes për migracionin e parregullt dhe ne kemi diskutuar se si të bashkëpunojmë më mirë për këtë çështje", tha kryediplomati turk Fidan në një konferencë të përbashkët për media me komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Lidhur me vizat e BE-së për qytetarët turq, ministri theksoi se procesi duhet të jetë më i thjeshtë.
"Kohët e fundit ka pasur probleme me vizat me vendet e BE-së dhe ne jemi në bisedime me homologët tanë evropianë për këtë çështje", tha ai.
Nga ana e tij, Varhelyi theksoi dialogun e BE-së me Türkiyen për Unionin Doganor.
"Ne kemi tejkaluar një sasi të konsiderueshme problemesh në lidhje me Unionin Doganor me Türkiyen", tha ai.
Zyrtari i lartë i BE-së nënvizoi gjithashtu bashkëpunimin ekonomik mes dy palëve, duke shtuar se viti 2023 ka shënuar një rekord të të gjitha kohërave në tregtinë me Türkiyen.
"BE-ja synon të mobilizojë 2,4 miliardë euro investime të drejtpërdrejta si pjesë e Platformës së Investimeve BE-Türkiye", tha Varhelyi.