Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Türkiyes, Hakan Fidan, tha sot se Ankaraja do të forcojë më tej bashkëpunimin me Letoninë në industrinë e mbrojtjes.
“Ne do ta forcojmë bashkëpunimin tonë në këtë fushë me projekte konkrete”, tha Fidan në një konferencë për shtyp pasi u takua me shefen e diplomacisë letoneze Baiba Brazhe në Ankara.
Fidan tha se është gjithashtu e nevojshme të forcohet bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit.
“Sidomos në luftën kundër organizatës terroriste FETO. Dëshiroj të shpreh edhe një herë pritshmërinë tonë për bashkëpunim më të ngushtë dhe ndërmarrjen e hapave konkretë”, tha Fidan.
Ai theksoi vendosmërinë e Türkiyes për të vazhduar luftën kundër kësaj organizate terroriste, e cila është përgjegjëse për tentativën për grusht shteti ushtarak në Türkiye më 15 korrik 2016.
Duke falënderuar Letoninë për mbështetjen e saj ndaj procesit të integrimit të Türliyes në Bashkimin Evropian, Fidan tha se anëtarësimi në bllokun 27-anëtarësh është një objektiv strategjik për Ankaranë.
Duke theksuar se Türkiye ka vullnet politik për të zhvilluar marrëdhëniet me BE-në në mënyrë konstruktive dhe të fokusuar në rezultate, Fidan theksoi se pret që Bashkimi të tregojë një qëndrim të qartë në këtë drejtim.
Fidan gjithashtu bëri thirrje për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza dhe Liban.
"Izraeli nuk mund të arrijë paqen dhe sigurinë duke vrarë civilë", tha Fidan, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë përpjekjet palestineze për të krijuar shtetin e tyre në territorin e tyre, për të vendosur paqen në Izrael dhe në gjithë Lindjen e Mesme.