Fidan: Izraeli po bëhet gjithnjë më i izoluar shkaku i politikës së tij / Photo: AA

Ministri i Jashtëm i Türkiyes Hakan Fidan tha të martën se Izraeli, i cili ka vazhduar ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës për më shumë se shtatë muaj, po bëhet gjithnjë e më i tjetërsuar dhe i izoluar për shkak të politikave të tij.

"Izraeli po bëhet gjithnjë e më shumë i tjetërsuar dhe i izoluar nga komuniteti ndërkombëtar", tha Fidan në një konferencë shtypi pas një takimi me homologun austriak Aleksander Schallenberg në Ankara.

"Ashtu siç ishte gabim të vriteshin hebrenjtë e pafajshëm në kampet e përqendrimit, është po aq e gabuar të vriteshin fëmijët e pafajshëm palestinezë në shtretërit e tyre me bomba", nënvizoi Fidan, duke iu referuar vrasjes së më shumë se 35.000 palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë, në Gaza që nga 7 tetori pas një sulmi të Hamasit që mori 1.200 jetë.

Kreu i diplomacisë turke tha se "vrasja e mijëra palestinezëve të pafajshëm nga Izraeli, shpërngulja e miliona njerëzve është një akt gjenocidi".

“Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut dhe përpjekjet diplomatike kanë dështuar sërish për shkak të pushtimit të Rafahut”, shtoi Fidan.

Javën e kaluar, Hamasi pranoi një propozim nga Egjipti dhe Katari për t'i dhënë fund luftës. Por, Izraeli tha se oferta e armëpushimit nuk i plotësonte kërkesat e tij kryesore dhe vendosi të vazhdojë operacionin në Rafah, një qytet jugor ku jetojnë më shumë se 1,5 milion njerëz të zhvendosur.

Lidhur me luftën e Ukrainës që filloi në shkurt 2022, Fidan përsëriti angazhimin e tij për të mbështetur sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës në bisedimet me homologun e tij austriak.

Një nga temat ishte rritja e tensioneve në Ballkan.

“Është e qartë se Türkiye dhe Austria kanë nevojë për bashkëpunim më të madh në përpjekjet për të zgjidhur çështjet në Ballkan”, tha Fidan.

TRT Balkan / agjencitë