Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Türkiyes, Hakan Fidan, tha se Kaukazi Jugor ka potencialin të bëhet një rajon i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të nëntë trepalësh të ministrave të Jashtëm të Türkiyes, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë në Baku, Fidan shprehu mirënjohjen e tij për mikpritësit dhe theksoi rëndësinë e këtij mekanizmi trepalësh në zgjidhjen e interesave dhe sfidave të përbashkëta.
Fidan, homologu i tij gjeorgjian Ilia Darchiashvili dhe ministri i jashtëm i Azerbajxhanit Jeyhun Bayramov vazhdojnë mekanizmin e bisedimeve trepalëshe që synojnë promovimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit rajonal.
Fidan theksoi ndërprerjet ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19, të cilat vazhdojnë të kenë një ndikim negativ në transportin dhe zinxhirët e furnizimit, si dhe kostot humanitare dhe ekonomike të konfliktit të vazhdueshëm midis Ukrainës dhe Rusisë.
Në kuadër të sulmeve të intensifikuara izraelite ndaj palestinezëve, kreu i diplomacisë turke tha se masakra në Gaza vazhdon të ekspozojë të gjitha dobësitë e sistemit ndërkombëtar.
Ai shprehu shqetësimin për krizën humanitare në Rripin e Gazës dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për të lejuar ndihmën humanitare. Ai theksoi rëndësinë e një zgjidhjeje me dy shtete për paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe përsëriti angazhimin e Türkiyes për përmirësimin e bashkëpunimit përmes marrëdhënieve trepalëshe dhe dypalëshe.
"Ka një mundësi reale për të transformuar Kaukazin e Jugut në një zonë paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti të përbashkët", theksoi Fidan dhe vuri në dukje domosdoshmërinë e përmirësimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Fidan theksoi gjithashtu rëndësinë e kapacitetit të plotë operacional të hekurudhës Baku-Tbilisi-Kars, si dhe rëndësinë strategjike të Detit të Zi në sigurinë rajonale, ekonominë, energjinë dhe transportin.
Ai përgëzoi Azerbajxhanin për pritjen e konferencës së 29-të të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të paqes së qëndrueshme në Kaukazin e Jugut për sigurinë dhe lidhjen globale.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit njoftoi në rrjetin social X se ministri i jashtëm i Türkiyes, i Azerbajxhanit dhe ai i Gjeorgjisë nënshkruan Deklaratën për Rezultatet e Takimit të Nëntë Trepalësh në Baku.
Ministri i Azerbajxhanit Bayramov theksoi se duke i dhënë fund okupimit armen të Karabakut, Azerbajxhani hodhi themelet për paqen dhe stabilitetin rajonal.
"Azerbajxhani po demonstron vazhdimisht vullnet politik dhe mbështet negociatat intensive të drejtpërdrejta dhe pret të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Armeninë sa më shpejt të jetë e mundur", tha Bayramov.
Ai theksoi se Azerbajxhani, Türkiye dhe Gjeorgjia aktualisht po kryejnë bashkëpunim të frytshëm ekonomik rajonal, me projekte të rëndësishme ekonomike rajonale dhe globale.
Bajramov theksoi gjithashtu se këto projekte janë kyçe për rritjen e lidhjeve tregtare midis Lindjes dhe Perëndimit.
"Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev i kushton rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal midis Azerbajxhanit - Gjeorgjisë - Türkiyes", theksoi Bayramov.
Ministri gjeorgjian Darchiashvili tha se gjatë takimit i njoftoi kolegët e tij për detajet e procesit të integrimit të Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se projektet e bashkëpunimit të tre vendeve do të forcojnë marrëdhëniet e tyre.
“Dua të theksoj se ky format është një nga mekanizmat më efektivë dhe më të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal. Kjo platformë, veçanërisht në dritën e sfidave aktuale globale dhe rajonale, na lejon të qëndrojmë të informuar për nevojat e rajonit”, përfundoi Darchiasvili.