Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u ka bërë thirrje vendeve perëndimore të ndahen nga “krimet e luftës” izraelite.
“Bota perëndimore duhet të distancohet nga krimet e luftës së Izraelit. Çdo mbështetje e kushtëzuar ose e pakushtëzuar për Izraelin është një çek bosh për vrasjen e më shumë palestinezëve”, tha Fidan të premten në Samitin e Komunikimit Strategjik Ndërkombëtar (Stratcom) në Istanbul.
“Historia nuk do ta harrojë intolerancën ndaj flamurit palestinez dhe thirrjet për paqe në Evropën e sotme, ku sulmet ndaj Kuranit të shenjtë supozohet se pranohen si liri e shprehjes”, shtoi ai.
Paqja e vërtetë është e mundur vetëm me drejtësi, bashkëpunim ndërkombëtar dhe të vërtetë, theksoi ministri i Jashtëm turk.
Dezinformim i institucionalizuar për Gazën
Fidan tha se dezinformatat që kishin hapur rrugën për ndërhyrje në Afganistan dhe Irak dhe e zhytën rajonin në kaos, tani po shfaqen në Gaza.
Ai tha se ekzistojnë dy lloje të dezinformatave në lidhje me “krimet e luftës të kryera nga Izraeli në Gaza dhe Bregu Perëndimor” pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
“E para është qëndrimi i njëanshëm i shumë medieve perëndimore që injorojnë tragjedinë njerëzore të pësuar nga palestinezët. Tjetra është dezinformimi i institucionalizuar, i cili nuk kufizohet vetëm në ngjarjet e 7 tetorit, se Izraeli po përpiqet të bindë gjithë botën duke fshehur faktet”.
Krimet e luftës të Izraelit në Gazën e rrethuar
Kryediplomati turk më tej tha se askush nuk duhet të legjitimojë “vrasjen e pamëshirshme të njerëzve në Gaza nga Izraeli” si të drejtë për vetëmbrojtje.
“Ne nuk duhet të lejojmë që Izraeli të mbulojë një krim lufte me një tjetër. Prandaj, ne duhet të arrijmë një zgjidhje të përhershme përmes diskurseve dhe metodave të reja”, pohoi ai.
Fidan tha se qëllimi i Tel Avivit është që me veprimet e tij në Jerusalem, Bregun Perëndimor dhe Gaza ta bëjë zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë të paefektshme.
Ai shtoi: “Është e pranuar gjerësisht se e vetmja zgjidhje e mundshme për çështjen izraelito-palestineze është një shtet palestinez i pavarur, sovran dhe gjeografikisht i integruar me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”.
Fidan përsëriti se Türkiye nuk do të shmangë kurrë marrjen e përgjegjësive të saj dhe të qëndrojë pranë palestinezëve në kauzën e tyre.