Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, i cili po qëndron për vizitë në Greqi, tha se të dyja vendet duhet të përfitojnë nga mundësia historike që kanë, të veprojnë me besim të ndërsjellë dhe ta kthejnë fqinjësinë e përjetshme në miqësi të përjetshme.
"Marrëdhëniet Türkiye-Greqi po përparojnë pozitivisht. Bashkëpunimi ynë shumëdimensional po forcohet. Ne po ndërmarrim hapa të rëndësishëm së bashku në fusha të tilla si tregtia, ekonomia, transporti, turizmi dhe kultura", tha Fidan në një konferencë të përbashkët për shtyp të mbajtur pas takimit me homologun grek Yorgos Yerapetritis në Athinë.
Më tej, Fidan tha se Türkiye dhe Greqia po bëjnë përpjekje që të kuptohen më mirë me njëri-tjetrin, veçanërisht në ato çështje kritike.
“Rajoni ku jemi ka shumë probleme. Në këtë zonë të vështirë gjeografike, Türkiye dhe Greqia duhet të jenë në gjendje të veprojnë me besim të ndërsjellë. Ne duhet të përfitojmë nga mundësia historike që kemi përpara dhe ta bëjmë të përhershme klimën pozitive mes vendeve tona. Ne duhet ta kthejmë fqinësinë tonë të përjetshme në miqësi të përjetshme. Nuk kam dyshim se këtë qëllim mund ta arrijmë me mirëkuptim të sinqertë dhe konstruktiv”, tha Fidan.
Duke folur për marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, Fidan përkujtoi se qëllimi i shkëmbimit tregtar është 10 miliardë dollarë dhe se përpjekjet e përbashkëta për arritjen e këtij qëllimi po vazhdojnë.
"Fakti është se kemi dallime në mendime për detin Egje. Këtë e kemi diskutuar edhe në takime konsultative në të kaluarën. Duhet të veprojmë realisht dhe t'i diagnostikojmë saktë problemet tona. Ka shumë probleme të ndërlidhura në detin Egje që na duhet të punojmë dhe të kërkojmë zgjidhje për të”, theksoi Fidan.
Duke thënë se në takimin me Yerapetritis është diskutuar edhe për çështjen e Qipros, Fidan tha se qëndrimi i Türkiyes për këtë çështje është i qartë dhe se do të vazhdojë ta zgjidhë çështjen e Qipros bazuar në faktet në ishull. Ai shtoi se "ka nevojë për një frymë të re në ishull që do të mundësojë siguri, liri dhe prosperitet si për turqit, ashtu edhe për grekët".
Fidan tha se gjatë takimit me Yerapetritisin dhe delegacionin e tij, ata theksuan se presin bashkëpunim më efektiv me Greqinë fqinje në luftën kundër organizatave terroriste, veçanërisht FETO-së, PKK-së dhe DHKP-C-së. Gjithashtu, u theksua rëndësia e veprimit të përbashkët në luftën kundër migrimit të parregullt.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan zhvillimet në gjeografinë e afërt, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Ballkanin.
"Si Türkiye, ne nuk duam të shohim luftë, lot dhe dramë në rajonin tonë. Ne duam që paqja në Lindjen e Mesme të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete të çështjes palestineze. Për këtë qëllim, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të rrisë presionin real dhe serioz ndaj Izraelit. Përndryshe, (kryeministri izraelit Benjamin), fanatizmi i Netanyahut, për fat të keq, do të vazhdojë të sjellë gjak në rajon”, përfundoi Fidan.