Fidan: Rruga e Laçinit është territor azerbajxhanas. / Photo: AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se rruga e Laçinit, e vetmja rrugë tokësore që i jep Armenisë qasje në Karabak, është territori i Azerbajxhanit dhe se Baku mund të marrë çdo masë për të.

"Rruga e Laçinit është territor i Azerbajxhanit. Prandaj, Azerbajxhani merr çfarëdo mase që e sheh të nevojshme. Marrja e masave është gjithashtu një nga të drejtat e tij më të mëdha sovrane", tha ministri Fidan në një konferencë për media me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov në Ankara.

"Kalimet mjekësore janë gjithashtu të mundshme. Janë caktuar edhe rrugë të tjera, të cilat janë të përshtatshme për transport të gjerë të gjërave materiale. Kur shikojmë të gjitha këto vlerësime, mendojmë se nuk ka asnjë justifikim për të kritikuar Azerbajxhanin për këtë çështje", shtoi ai.

Azerbajxhani u ka bërë thirrje vendeve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë bërë deklarata antiazerbajxhane që të respektojnë sovranitetin dhe integritetin e tij territorial, veçanërisht në lidhje me zhvillimet në Karabak dhe rrugën e Laçinit.

Pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme për një marrëveshje paqeje, tensionet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë janë rritur muajt e fundit në lidhje me rrugën e Laçinit, si dhe vendosjen e një postblloku kufitar në rrugë nga Azerbajxhani.

Kryediplomati turk tha se është "jashtëzakonisht e rëndësishme" që bisedimet e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë të arrijnë në një përfundim.

Fidan shtoi se marrëveshjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit duhet të nënshkruhen së shpejti, duke shtuar: "Kjo paraqet një mundësi të madhe për vendet e tjera të rajonit".

Në lidhje me rrugën kryesore tokësore të korridorit Zangezur në Kaukazin jugor, Fidan tha se hapja e kësaj rruge është "jetike".

"Rruga drejt stabilitetit rajonal është përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes. Për këtë ka rëndësi të madhe hapja e korridorit të Zangezurit", shtoi ai.

Rajoni Zangezur ishte fillimisht pjesë e Azerbajxhanit, ndonëse sovjetikët ia dhanë atë Armenisë në vitet 1920-ta, duke e lënë Azerbajxhanin të privuar nga një rrugë e drejtpërdrejtë tokësore për në enklavën e saj të Nakhchivanit.

Pas luftës së tij 44-ditore me Armeninë në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani është fokusuar në lidhjet tokësore të planifikuara, duke përfshirë autostradat dhe një hekurudhë 43 kilometra përmes korridorit.

Korridori është planifikuar të jetë afër ose ngjitur me kufirin e Armenisë me Iranin, gjë që e ka shqetësuar Teheranin pasi projekti mund të ndërpresë kufirin e tij me Jerevanin.

TRT Balkan / agjencitë