Fidan: Trumpi do t'i rishikojë marrëdhëniet me grupin terrorist PKK         Foto: AA

Në një takim me përfaqësues të shtypit, kryediplomati turk Hakan Fidan në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Türkiyes iu përgjigj pyetjeve lidhur me politikat e mundshme pas marrjes së detyrës së presidentit të sapozgjedhur të ShBA-së, Donald Trump.

Ministri i Punëve të Jashtme Hakan Fidan deklaroi se ende nuk ka asnjë indikacion të qartë në lidhje me politikat e Trumpit, mbi çështjen e Sirisë.

Ai tha se beson se administrata e Trumpit do t'i rishikojë marrëdhëniet e saj me PKK-në pasi Türkiye ka përcjellë në çdo mundësi seriozitetin për këtë çështje.

Fidan u shpreh se "Përshtypja që kam për Trumpin është se ai do të vazhdojë diskutimin për çështje të caktuara dhe do të lërë që çështjet kritike të rrjedhin pak në fillim. Ai mund të mos i bëjë shumë radikale vendimet”.

Kryediplomati deklaroi se ka mundësi që Trump të marrë një vendim radikal në lidhje me çështjen e emigrantëve, sepse kjo është çështja me koston më të vogël si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme.

Lidhur me çështjen e politikës së mundshme të Trumpit në Siri dhe marrëdhëniet me Türkiyen, Fidan vuri në dukje: Nëse ShBA-ja vazhdon të bashkëpunojë me YPG/PKK në Siri, problemi strategjik i Türkiyes me Amerikën do të vazhdojë.

Fidan theksoi se Türkiye do të vazhdojë të shprehë qartë qëndrimin e saj për këtë çështje, duke e mbajtur të qartë pozicionin e saj me anë të veprimeve diplomatike dhe qëndrimit në terren.

Ai kujtoi se gjatë mandatit të parë të Trumpit, ShBA-ja u përpoq të tërhiqej nga Siria, por atëherë sistemi amerikan nuk ishte i gatshëm ta miratonte këtë vendim.

Fidan shtoi se Trumpi do të vlerësonte ndikimin e ngjarjeve në Siri mbi sigurinë e Izraelit dhe tha: "(Administrata Trump) do të rishikojë marrëdhënien e saj me PKK/PYD-në. Ne ia kemi treguar çdo mundësi seriozitetin tonë në këtë çështje.”

"Türkiye është e gatshme të marrë çdo hap për të mundësuar sigurinë e saj në rajon"

Fidan tha se Türkiye duhet të vazhdojë të mbrojë pozicionin e saj dhe të ofrojë propozime më të avancuara në tavolinën diplomatike, duke theksuar se "ne jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo hap për të mundësuar sigurinë tonë në rajon."

Ai theksoi se ky qëndrim është i kuptueshëm për ShBA-në, e cila është e vetëdijshme për kërkesat për ndryshimin e disa qëndrimeve amerikane.

Ai shpjegoi se disa operacione të ndryshme që realizon Türkiye mund të kenë për qëllim përmbushjen e kërkesave të caktuara.

Fidan shtoi se Türkiye ka kërkuar që në bisedimet me autoritetet amerikane të mbështesin operacionet e luftës kundër terrorizmit dhe të mos kërkojnë mbështetje nga organizata të tjera terroriste.

Nëse ndodhin zhvillime në luftën e Rusisë me Ukrainën, Fidan e shikoi mundësinë që Shtetet e Bashkuara të tentojnë të ndihmojnë aktorët që kanë investuar në rajon, për t'i mbrojtur investimet e tyre.

Ai shtoi se Türkiye është e gatshme për çdo skenar dhe dëshiron të vazhdojë të diskutojë me regjimin sirian për të arritur një zgjidhje diplomatike për çështjet që kanë të bëjnë me Sirinë.

Shefi i diplomacisë turke rikujtoi ofertën diplomatike të Presidentit turk Erdoğan dhe tha se "regjimi sirian nuk është shumë i gatshëm të shqyrtojë disa çështje për momentin."

Fidan u shpreh gjithashtu se "Problemi ynë është i lidhur me një zgjidhje praktike që duhet të kalojë përmes këtyre llojeve të marrëveshjeve."

Projekti i Rrugës së Zhvillimit

Fidan, i pyetur për Projektin e Rrugës së Zhvillimit të Irakut, tha se Türkiye po e mbështet shumë këtë projekt ekonomikisht dhe politikisht dhe ka pranuar menjëherë kur u propozua, duke inkurajuar aktorët rajonalë të përfshihen.

Ministri i Jashtëm turk theksoi se ky projekt është një mundësi pozitive për zhvillimin e Irakut dhe mbështeti nevojën për pastrimin e grupeve terroriste për të mundësuar zhvillimin ekonomik.

Gazsjellësi mes Erbilit dhe Bagdadit mund të hapet së shpejti

Fidan gjithashtu komentoi lidhur me marrëdhëniet midis Erbil dhe Bagdadit, duke thënë se ata janë në rrugë për të arritur një marrëveshje të rëndësishme për ndarjen e të ardhurave nga nafta dhe hapjen e një linje gazi të përbashkët. Ai theksoi se kjo do të sjellë një rritje të lëvizshmërisë ekonomike në rajon.

"Nuk duam një qeveri të influencuar nga PKK-ja"

Fidan deklaroi gjithashtu se Iraku mund të luajë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e marrëdhënieve Türkiye-Siri, duke i inkurajuar të dyja palët të bashkëpunojnë për t'i zgjidhur çështjet e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit.

"Ne nuk duam një qeveri të influencuar nga PKK-ja", tha Fidan, duke cituar se situata në Kirkuk është një nga çështjet kryesore që po ndjekin, duke shprehur kundërshtimin ndaj ndryshimeve demografike dhe duke theksuar se nuk duan një qeveri nën ndikimin e PKK-së.

Ai theksoi se procesi i emërimit të një guvernatori të ri duhet të ndjekë një sistem të drejtpërdrejtë dhe të balancuar, duke respektuar përbërjen etnike të qytetit.

Në lidhje me marrëdhëniet me Süleymaniyes dhe PKK-në, Fidan bëri të ditur se Türkiye do të vazhdojë të marrë masa kundër atyre që mbështesin PKK-në, si dhe se marrëdhëniet me Süleymaniyen do të normalizohen vetëm kur ata ndërpresin lidhjet me këtë organizatë.

Për sa i përket mundësisë që Iraku të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Sirisë, Fidan shprehu mbështetje për një mekanizëm të bashkëpunimit të mundshëm trepalësh mes këtyre shteteve, duke theksuar rëndësinë e sigurisë kufitare dhe luftës kundër terrorizmit.

"Grekët qipriotë do të humbasin më shumë në çështjen e Federatës"

Lidhur me çështjen e Qipros, Fidan deklaroi se Bashkimi Evropian (BE) ka bërë një gabim historik për çështjen e Qipros dhe për këtë arsye është shtyrë të mbajë një qëndrim për këtë çështje dhe se Türkiye ka preferuar të gjejë një zgjidhje me Kombet e Bashkuara dhe jo me BE-në.

Ministri Fidan deklaroi se janë të hapur për qëllime të mira dhe se duan një zgjidhje që pasqyron realitetin aktual në ishull dhe tha: "Pra, ne nuk po imponojmë një zgjidhje atje. Prandaj, pretendimi se po bllokojmë rrugën e Türkiyes është krejtësisht joreal."

Fidan gjithashtu theksoi se Türkiye nuk po përpiqet të imponojë një zgjidhje për problemet e Qipros, por kërkon një zgjidhje që pasqyron realitetin aktual në ishull dhe theksoi se është e gatshme të kontribuojë për një marrëveshje të qëndrueshme me mbështetje të Kombeve të Bashkuara, jo të BE-së.

Rreziku bërthamor

Për sa i përket rrezikut bërthamor nga Lufta Ruso-Ukrainase, Fidan theksoi se Rusia mund të përdorë kërcënimet bërthamore si një mjet për të rritur tensionet dhe se çdo diskutim për përdorimin e armëve bërthamore e rrit rrezikun e një konflikti të tillë.

Fidan gjithashtu sqaroi se nuk ka pasur asnjë lëvizje të Hamasit për të zhvendosur Shtabin e tij Politik në Türkiye, duke hedhur poshtë çdo spekulim në këtë drejtim dhe duke theksuar se këto janë thjesht thashetheme.

Byroja Politike e Hamasit nuk ka ardhur në Türkiye

Duke vlerësuar pretendimet në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Hamasit dhe Türkiyes, Fidan tha: "Ne si Türkiye i mohuam këto akuza. Zëdhënësi i ministrisë sonë njoftoi se Byroja Politike e Hamasit nuk është zhvendosur në Türkiye.

Katarianët gjithashtu mohuan thashethemet që janë përhapur. Prandaj, nuk ka një gjë të tillë siç po thoni ju tani. Me fjalë të tjera, Byroja Politike e Hamasit nuk ka ardhur në Türkiye”.

Fidan deklaroi se ShBA-ja dëshiron të ushtrojë presion mbi Hamasin dhe se demokratët në veçanti po luftojnë me marrëveshjen e paqes dhe pengjet.

Ministri Fidan theksoi se kushtet aktuale të armëpushimit nuk janë kushte që Hamasi i ka pranuar.

"Vendimi i marrë nga GjNP-ja është ngjarje historike"

Lidhur me urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) për kryeministrin izraelit Benjamin Netahyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, Fidan tha: "Vendimi i marrë nga GjNP-ja është një ngjarje historike" dhe preku faktin se disa vende kanë njoftuar se do ta respektojnë këtë vendim.

Fidan deklaroi se duhej që ky rezultat të dilte më shpejt dhe tha: “Fakti që ndërgjegjja e njerëzimit ka mbajtur një qëndrim të përbashkët kundër gjenocidit të kryer nga Izraeli si rezultat i mobilizimit ndërkombëtar dhe i bashkuar rreth një diskursi të përbashkët ka luajtur gjithashtu një rol të madh në lëshimin e urdhrit të arrestit”.

Fidan vuri në dukje se të gjithë kanë arritur në pikën e një armëpushimi të menjëhershëm, fillimin e ndihmës humanitare dhe vendosjen e një zgjidhjeje me dy shtete dhe tha: "Izraeli tregon qartë me çdo qëndrim se nuk i do këto. Sigurisht e rëndësishme është që urdhërarrestet janë lëshuar për administratorët izraelitë të cilët në mënyrë të qartë po kryejnë gjenocid”.

Nevojitet nismë ndërkombëtare për të sjellë ushqim në Gaza

Fidan tërhoqi vëmendjen se duhet të merren vendime të tilla, por që këto vendime nuk janë të mjaftueshme dhe tha: "Tani ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar 2 milionë njerëz nga uria; duhet nisur një nismë ndërkombëtare për të sjellë ushqim në Gaza. Sepse përkundër përdorimit të të gjitha mjeteve diplomatike, 2 milionë njerëz në Gaza janë duke vdekur nga uria para syve të gjithë njerëzimit.

Për fat të keq, Kombet e Bashkuara nuk mundën ta parandalojnë këtë dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë tragjedi”

Ministri Fidan theksoi se dënimi i civilëve me uri si metodë lufte është "një çështje që njerëzimi nuk mund ta tolerojë".

Fidan tha se tani janë përdorur të gjitha mjetet diplomatike për këtë çështje dhe tha: "Përpjekjet për ta parandaluar këtë në Kombet e Bashkuara janë gjithmonë me veton nga ShBA-ja".

Tensionet Rusi-Ukrainë: Dërgimi i ushtarëve të Koresë së Veriut

Për sa i përket dërgimit të ushtarëve nga Koreja e Veriut në Rusi dhe pasojave të tij, Fidan tha: "Një nga gjërat që i shqetëson më shumë Perëndimorët është çështja se çfarë i kanë dhënë ose mund t'i japin rusët Koresë së Veriut për këtë numër kaq të madh ushtarësh. Kjo është e rëndësishme, sepse nëse bëhet një lëvizje që do të prishë balancën aktuale në Gadishullin Korean dhe në rajon, atëherë për Amerikën dhe Perëndimorët do të hapet një front i ri."

Fidan theksoi se ky front mund të kërkojë përgatitje për luftë të nxehtë dhe mund të çojë në një qasje të ndryshme për të rritur aftësitë e Koresë së Jugut.

Kërcënimi kibernetik

Në lidhje me kërcënimin kibernetik, që njihet si fronti i pestë i luftës, Fidan tha se kërcënimi kibernetik ka arritur në një pikë ku mund të godasë infrastrukturën kritike, duke përfshirë financat, sistemet bankare dhe transportin, dhe se shtetet janë duke kërkuar mënyra për ta adresuar këtë çështje.

Ai shtoi se gjatë pandemisë COVID-19 janë krijuar më shumë të dhëna në internet, si dhe koncepti i kërcënimit kibernetik ka ndryshuar, duke mos prekur më vetëm infrastrukturën kritike, por duke u fokusuar edhe në mundësinë e ndikimit në mendjen e njeriut dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale që ka krijuar një dimension të ri të kërcënimit.

Fidan vuri në dukje gjithashtu se rrjetet sociale janë manipuluar me inteligjencë artificiale dhe, për këtë arsye, dimensioni i kërcënimit ka ndryshuar.

Ai theksoi se aktualisht ka një çështje kufiri në lidhje me mbrojtjen e të dhënave, dhe se duhet të krijohen kufij digjitalë për lëvizjen e të dhënave.

Fidan theksoi se nuk duhet lejuar që të dhënat që lidhen me popullin dhe shtetin turk të qarkullojnë lirshëm dhe se themelimi i Drejtorisë së Sigurisë Kibernetike, që është punuar gjatë periudhës që ai ka qenë në Shërbimin e Inteligjencës Kombëtare, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin.

Libia

Për sa i përket Libisë dhe përpjekjeve të Türkiyes për t'i avancuar marrëdhëniet me palët e përfshira, Fidan kujtoi hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Türkiyes në Bengazi dhe vazhdimin e kontakteve me menaxherët dhe autoritetet libiane.

Ai shtoi se biznesmenët turq janë gjithashtu aktivë në rajon dhe tha:

"Në Libi, mjedisi paqësor që Türkiye ka krijuar dhe e vlerëson si shumë të rëndësishëm, po jep rezultate. Siç përparon ky ambient paqësor, besimi i njerëzve në mundësinë që ai të jetë i qëndrueshëm rritet. Ata po kalojnë nga problemi në mundësi për ekonominë, investimet dhe punët infrastrukturore. Kjo krijon mundësi për biznesmenët tanë.’’

Marrëdhëniet Türkiye-Greqi

I pyetur për marrëdhëniet Türkiye-Greqi, Fidan tha se preferojnë t'i trajtojnë të gjitha çështjet në mënyrë më të kufizuar dhe larg vëmendjes së opinionit publik dhe që nuk janë të interesuar për politizimin e tepruar të çështjeve, por veçanërisht në politikën e brendshme greke, çështjet që lidhen me Türkiyen mund të politizohen tepër.

Ai theksoi se duan të avancojnë në një agjendë pozitive dhe përfitues për të dyja palët, duke thënë: "Pa i cënuar interesat tona kombëtare, duam të zgjidhim problemet ekzistuese përmes rrugëve zyrtare dhe të eliminojmë pasigurinë. Deti Egje, që është një parajsë natyrore, duhet të kthehet në një zonë të begatshme ekonomike për vendet tona. Ky është qëllimi ynë. A është e mundur? Po, është e mundur."

Fidan gjithashtu theksoi se një takim i Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë midis dy vendeve është planifikuar të mbahet në janar ose shkurt, gjatë vizitës së Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Türkiye.

Nuk është hapur hapësira ajrore për Presidentin e Izraelit

Fidan komentoi gjithashtu refuzimin e kërkesës së Presidentit të Izraelit Herzog për të përdorur hapësirën ajrore turke për të marrë pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP29) në Baku.

Ministri turk tha se "Si reagim për masakrat që janë bërë ndaj 50 mijë palestinezëve, pa dallim moshe, ne nuk hapëm hapësirën ajrore. Mungesa e një hapi për të parandaluar dramën humanitare në Gaza, ka prekur thellë çdo njeri. Prandaj, nuk lejuam përdorimin e hapësirës ajrore të Türkiyes. Ky ishte vendimi i Presidentit tonë dhe nuk u lejua."

Fidan po ashtu shtoi se Azerbajxhani kishte bërë kërkesë diplomatike lidhur me këtë çështje, por theksoi se pozicioni i Türkiyes ishte i qartë dhe nuk u lejua përdorimi i hapësirës ajrore.

TRT Balkan / agjencitë