Fidan: Türkiye e gatshme të vazhdojë dialogun me Greqinë pa parakushte

Fidan: Türkiye e gatshme të vazhdojë dialogun me Greqinë pa parakushte

Kryediplomati turk paralajmëroi një epokë "pozitive të re" në marrëdhëniet e saj me Greqinë.
Fidan: Türkiye e gatshme të vazhdojë dialogun me Greqinë pa parakushte / Foto: AA

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se Ankaraja është e gatshme të vazhdojë dialogun me Greqinë pa parakushte.

"Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me fqinjin tonë Greqinë pa parakushte dhe të zhvillojmë marrëdhëniet tona mbi bazën e interesave të përbashkëta në të gjitha fushat", tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij grek, Giorgos Gerapetritis.

"Ne mund t'i zgjidhim problemet tona në bazë të së drejtës ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe interesat reciproke", shtoi ai.

Kryediplomati turk u shpreh se dy vendet kanë dallime mendimesh në lidhje me Egjeun dhe Mesdheun, duke shtuar se kanë rënë dakord të sjellin qasje të reja për zgjidhjen e problemeve.

Türkiye ka hyrë në një epokë "pozitive të re" në marrëdhëniet e saj me Greqinë, shtoi ai.

Gerapetritis, nga ana e tij, tha se së shpejti do të nisin masat e ndërtimit të besimit dhe bisedimet midis Türkiyes dhe Greqisë.

"Ne ramë dakord të vazhdojmë agjendën pozitive," tha Gerapetritis, i cili po bën një vizitë pune njëditore në kryeqytetin turk.

Ai shtoi se të dyja vendet pritet të mbajnë një takim të nivelit të lartë të këshillit të bashkëpunimit përpara fundit të vitit 2023, që do të jetë takimi i parë i këtillë në shtatë vitet e fundit.

Türkiye dhe Greqia janë dy fqinjë që për arsye të ndryshme kanë pasur marrëdhënie të trazuara prej dekadash. Pavarësisht se viti 2021 dëshmoi disa përmirësime në këto marrëdhënie, çështje të ndryshme vazhdojnë të jenë aktuale.

Türkiye, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, ka protestuar ndaj veprimeve dhe retorikës së përsëritur provokuese të Greqisë në rajon vitet e fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas traktateve të vjetra, duke thënë se lëvizje të tilla pengojnë përpjekjet me mirëbesim drejt paqes.


AA