Flasin sizmologët: Tërmetet në Türkiye, ndër më të fortat në botë / Foto: AA

Tërmetet e fundit që tronditën Türkiyen jugore në fillim të kësaj jave jo vetëm që ishin nga më të fortat e vendit, por edhe në botë, thotë një ekspert.

Duke folur për Anadolu, sizmologu Harold Tobin tha se dy tërmetet me epiqendër në provincën Kahramanmaraş, ishin “me të vërtetë shumë të fortë”, jo vetëm disa nga më të fortët në Türkiye, por edhe “në shkallë globale, disa nga tërmetet më të forta në rajonet e populluara që ne kemi parë, madje edhe në shekullin e kaluar ose më gjatë.”

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me epiqendër në provincën Kahramanmaraş, kanë prekur rreth 13 milionë njerëz në 10 provincat turke.

Tobin theksoi se ngjarjet e tilla, ku tërmetet me një fuqi të tillë ndodhin brenda më pak se 24 orëve nga njëri-tjetri, janë shumë të rralla.

“Unë mendoj se ka kaluar një kohë shumë, shumë e gjatë, ndoshta që kur kemi pasur instrumente sizmiologjike, nuk kemi parë një ngjarje të tillë”, tha sizmologu Tobin.

Tërmeti i dytë që ndodhi vetëm nëntë orë pas të parit ishte në një çarje të veçantë që dihej, por “ndoshta më pak e zakonshme për të pasur tërmete të mëdha”.

“Kombinimi është me të vërtetë, për fat të keq, një tragjedi e tmerrshme, sepse tërmeti i parë ishte aq i dëmshëm dhe më pas i dyti shkaktoi lëkundje të vendeve që tashmë kishin dëme nga tërmeti i parë”, tha ai.

Türkiye e gjendur ‘ndërmjet dy çarjeve’

Tobin nënvizoi se tërmetet shkaktohen nga lëvizjet e pllakave tektonike, me masën tokësore të Türkiyes së gjendur midis çarjeve të Anadollit të Veriut dhe atë të Anadollit Lindor, ose duke ndarë çarjet midis pllakave ku ato janë “të mbërthyera së bashku”.

“Pra, ajo që ndodh është se çarja është e mbërthyer dhe e mbajtur së bashku nga fërkimi, ashtu si kur përpiqeni të shtyni një pjesë të rëndë të mobiljeve, e dini, në fillim ajo reziston, nuk lëviz. Kjo krijon tendosjen në koren e Tokës. Dhe, më pas, kur ndodh tërmeti, ai e lëshon gjithë atë në një minutë ose diçka të tillë”, tha ai.

130 herë më i fuqishëm se tërmeti në Itali

Energjia e lëshuar nga dy tërmetet që goditën 10 provincat jugore të Türkiyes ishte 130 herë më e fortë se ajo që ndodhi në Itali në vitin 2016, tha një tjetër shkencëtar i shquar italian.

Duke folur për Anadolun, Carlo Doglioni, kreu i Institutit Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe të Vullkanologjisë (INGV), përsëriti se pllaka e Anadollit mund të ketë lëvizur rreth 3 metra si pasojë e tërmetit të parë.

Megjithatë, tërmeti i dytë që ndodhi të hënën në mesditë, si duket kishte lëvizur më tej pllakën, shtoi ai.

“Ka pasur një akumulim energjie që ka vazhduar për dekada ku ndodhi tërmeti. Ajo nuk mund ta mbante më energjinë ndërsa pllaka e Anadollit vazhdoi të lëvizte në drejtimin jugperëndimor. Rrjedhimisht, energjia e akumuluar u çlirua,” shpjegoi Doglioni.




TRT Balkan / agjencitë