Që nga fillimi i vitit, Türkiye ka neutralizuar 1.715 terroristë të PKK/YPG-së, përfshirë ata që fshihen përtej kufirit në Irak dhe Sirinë veriore, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes Kombëtare turke.
"Një total prej 33 terroristësh u shënjestruan javën e kaluar," u tha gazetarëve një zyrtar i ministrisë në një konferencë në kryeqytetin, Ankara.
PKK-ja është organizatë separatiste e listuar si grup terrorist në Türkiye, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Gjatë fushatës terroriste dhjetëvjeçare kundër Türkiyes, terroristët e PKK-së vranë të paktën 40.000 njerëz. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.
Terroristët e PKK/YPG-së shpesh fshihen përtej kufirit turk në Irakun verior dhe Sirinë, ku planifikojnë sulme ndaj forcave turke ose popullatës lokale.
“Po merren të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në zonat e operacioneve dhe sulmeve terroriste u përgjigjen në mënyrë proporcionale”, shtoi zyrtari.
Sipas tij, që nga janari, grupi terrorist ka qenë përgjegjës për 417 sulme dhe incidente në zonat e operacioneve antiterroriste turke dhe 1.298 terroristë janë neutralizuar nga reagimi i menjëhershëm i ushtarëve turq.
“Në kalimet ilegale në Türkiye, falë masave shtesë efektive, që nga 1 janari janë kapur 10.413 persona që tentuan të kalonin ilegalisht kufijtë e Türkiyes, përfshirë 555 terroristë”, tha zyrtari.
Rreth 179.677 persona u parandaluan para se të kalonin kufirin.
Türkiye është një pikë kyç tranziti për migrantët që duan të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të reja, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi në vendet e tyre.
Türkiye, e cila tashmë pret katër milionë refugjatë, më shumë se çdo vend tjetër në botë, po merr masa të reja sigurie brenda vendit dhe në kufijtë e saj për të parandaluar një fluks të ri emigrantësh.